• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mediat sociale dhe “analfabetizmi” mediatik mundësi për të manipuluar zërin e qytetarëve

Mediat sociale dhe “analfabetizmi” mediatik mundësi për të manipuluar zërin e qytetarëve

Shkup, 29 tetor 2023 (MIA) - Anketa më e re e EVROMETAR tregon se mbi gjysma e qytetarëve më shpesh informohen për temat politike në internet. Prej tyre, pjesa më e madhe, mbi 90 për qind , e bëjnë këtë përmes rrjeteve sociale, të cilat, në të njëjtën kohë, janë terreni më pjellor për dezinformata. Duke marrë parasysh se viti i ardhshëm është parashikuar për zgjedhje, si dhe fakti që kandidatët dhe partitë politike depërtojnë më lehtë deri te votuesit e tyre potencial përmes këtyre kanaleve, formësimi i zërit të qytetarëve në këto kushte paraqet sfidë të mirëfilltë.

Sipas komunikologut Sead Xhigall, fakti që bëhet fjalë pikërisht për lajme politike që njerëzit informohen më së shumti nga rrjetet sociale është rezultat i gjeneratave digjitale.

"Ky është rezultat i një ndryshimi të konsiderueshëm që po ndodh tashmë disa vite. Ndryshim në grupet demografike. Ato gjenerata që ne i quajmë gjenerata digjitale, e të cilat u rritën me internetin, më vonë edhe me rrjetet sociale, tani marrin një pjesë më të madhe në pasqyrën demografike të atyre që i ndjekin, publikun, lexuesit dhe përdoruesit tjerë. Në anketat e fundit, ky numër po rritet dhe do të vazhdojë të rritet numri i njerëzve që kryesisht i përdorin platformat digjitale për informim dhe komunikim", shprehet ai për MIA-n.

Analisti politik Xhelal Neziri beson se kur një publik informohet kryesisht nga rrjetet sociale, në pjesën më të madhe ajo dezinformohet për gjërat.

"Kur një publik informohet kryesisht nga rrjetet sociale, kjo do të thotë se ai publik nuk është i informuar. Në pjesën më të madhe, për gjërat është i dezinformuar. Ne e dimë se cilat janë mediat që plasojnë informacione të vërtetuara, të verifikuara. Këto janë mediat mejnstrim, por edhe mediat onlajn që respektojnë normat minimale dhe standardet profesionale në gazetari dhe si të tilla publikojnë përmbajtje që ka kaluar një ose dy filtra kontrolli. Filtri i parë mund të jetë vetë gazetari, i dyti redaktori, në mënyrë që, në fund, ai informacion të jetë i vërtetuar. Por, në rastin e rrjeteve sociale, kemi një det dezinformatash ku secili publikon çdo gjë dhe gjithçka, ku burimi i atyre informacioneve nuk është konfirmuar, madje as vetë nuk është informacion. Kjo është e rrezikshme për vetë shoqërinë, e rrezikshme për demokracinë por edhe për shtetin", theksoi ai për MIA-n.

Informimi për procesin zgjedhor në rrjetet sociale është një sfidë në vetvete

Xhigali shprehet se informimi gjatë procesit zgjedhor në një situatë ku publika transferohet në rrjetet sociale ka shumë sfida.

"Këtu ka shumë sfida. Nga njëra anë, subjektet politike, partitë, koalicionet, do të duhet të përshtatin programet dhe strategjitë e tyre të komunikimit për publik tashmë të rritur, i cili ka qenë i pranishëm edhe më parë, por tani është rritur ndjeshëm. Gjithashtu, pjesë e kësaj përshtatjeje do të duhet të jetë jo vetëm paketimi i mesazheve dhe programeve të tyre, por edhe mbrojtja e fushatave, komunikimit politik, programeve dhe komunikimit tjetër me qytetarët nga disa rreziqe relevante dhe reale që i sjellin rrjetet sociale", shprehet ai.

Mbështetja institucionale, ndërgjegjësimi, edukimi dhe gatishmëria e atyre që udhëheqin komunikimin, në këtë rast partitë dhe koalicionet, dhe përmirësimi i arsimimit mediatik dhe edukimit mediatik te qytetarët, si votues potencialë, pjesëmarrës në procesin zgjedhor, i veçon si kyçe.

"Ky është një proces me shumë palë në të cilin të gjithë të përfshirët duhet të hyjnë seriozisht dhe të veprohet në mënyrë të koordinuar për të shmangur çfarëdo lloji të pasojave negative në proceset zgjedhore, informimin, informimin objektiv të qytetarëve dhe sigurimin e kushteve korrekte. Kjo nënkupton edhe mbështetje nga sektori civil, si dhe nga rregullatori, Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele. Kemi nevojë për rritje të gatishmërisë dhe vetëdijes se ky lloj i mediave ka një lloj tjetër raporti si ndaj përdoruesve ashtu edhe ndaj pjesëmarrësve në komunikimin politik", konsideron Xhigalli.

Sipas Nezirit, në kushte të fushatës parazgjedhore, te ne përdoret më shumë e ashtuquajtura “fushatë e zezë” për të denigruar kundërshtarin politik, sesa për promovimin e platformave dhe ideve të një kandidati, apo një partie politike.

"Pritet që partitë t'i përdorin këto vegla, të përdorin hapësirën e internetit për të realizuar projektet e tyre që kanë për qëllim denigrimin e armikut në aspektin politik dhe fitimin e zgjedhjeve", shprehet ai.

Ai shton se është shumë e rëndësishme në këtë moment që të kemi më shumë shikueshmëri në mediat profesionale, jo vetëm në rrjetet tradicionale sociale, si Facebook, Twitter dhe LinkedIn, apo të tjera, por edhe në të rejat që shfaqen çdo ditë dhe ndoshta janë larg syve të gjeneratë më të vjetër.

"Këto media duhet të përshtaten me tendencat e reja të imponuara nga sfera onlajn. Nëse ky komunikim duhet të vendoset me një publik më të gjerë, atëherë lajmi i verifikuar duhet të vendoset edhe në Tik-Tok. Mediat tradicionale duhet të jenë të gjithëpranishme, në mënyrë që të mos u lënë shumë hapësirë portaleve anonime ose burimeve anonime të informacionit, të cilat janë dezinformata faktike, për ta zënë atë hapësirë", thekson ai.

Promovimin e mediave që janë në listën e Këshillit të Etikës në Mediat që respektojnë standardet, profesionin dhe kodin e etikës në gazetari e përmend si një tjetër opsion.

"Ajo listë e mediave duhet të promovohet si burim i mundshëm, ose zgjedhje për informimin e qytetarëve. Ta bëhet e qartë për publikun se përdorimi i burimeve të dyshimta të informacionit është po aq i rrezikshëm sa përdorimi i informacionit për destinacionin e tyre të mundshëm nga njerëz që nuk janë të besueshëm. Nëse po shkon diku në një rrugë dhe dëshiron të arrish në një destinacion të caktuar dhe gjatë rrugës pyet njerëzit që janë të dyshimtë, ku të çon kjo rrugë, atëherë mund të mos arrish kurrë në atë destinacion. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme që publiku të paralajmërohet se prej ku i përdor këtë informacion", shprehet Neziri, meqë, sipas tij, nëse dikush na servon dezinformata, do të kemi qëndrim të gabuar për shumë gjëra të rëndësishme në shtet.

Arsimimi mediatik si vegël për verifikimin e lajmeve politike

Sipas Xhigallit, sofistikimi i atyre që dezinformojnë është disa hapa më i lartë se ai i publikut, përdoruesit dhe opinioni.

"Arsimimi mediatik është një nga ato kategori që ne mendojmë se e kemi dhe për shkak se jemi vazhdimisht në komunikim, përdorim mediat, mendojmë se jemi mjaft të aftë t'i përdorim ato me mençuri dhe të mbrohemi. Ky nuk është rasti më i shpeshtë. Thelbi është që secili prej nesh duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm në këtë lloj të proceseve zgjedhore politike në kohë krizash dhe luftërash. Megjithatë, rezulton se sofistikimi i atyre që dezinformojnë është disa hapa më i lartë se ne, publiku, përdoruesit, opinioni dhe është e nevojshme të përmirësohet vazhdimisht edukimi mediatik dhe arsimimi mediatik. Në këtë kuptim, secili prej nesh duhet të përmirësojë aftësitë e tij", shprehet ai.

Ai shton se kemi nevojë për mbështetjen e të gjithë atyre që mund të ndihmojnë, për të ndihmuar qytetarin e rëndomtë për të përmirësuar vazhdimisht edukimin e tij mediatik, i cili duhet t'i mundësojë atij të bëjë dy gjëra kryesore, që është informimi cilësor, e nga ana tjetër, për ta mbrojtur atë nga manipulimet ose disa pasoja negative të këtyre platformave.

Xhelali rrëfen se gjërat kanë ndryshuar shumë që nga koha ai ka punuar si gazetar i mediat së shtypur dhe shprehet se duhet të përshtatemi me kohën e re.

"Para se të publikojmë një informacion, kemi kontrolluar dy ose tre herë dhe kemi përdorur të paktën dy ose tre burime. Kur më në fund do të bindeshim se lajmi është i saktë, atëherë do ta publikonim. Tani ndodh e kundërta. Shumë media onlajn publikojnë lajme të paverifikuara dhe të pakonfirmuara dhe më pas i takon lexuesit të kontrollojë dy ose tre burime informacioni. Duhet të përshtatemi me kohën e re. Nuk mund ta ndalojmë kohën ose ta kthejmë mbraps kur nuk kishte internet. Mendoj se interneti është një mjet shumë i mirë, nëse dimë ta përdorim në mënyrë konstruktive", shprehet ai.

Sipas tij, është e rëndësishme që qytetarët të mësojnë se si të kenë mendim kritik në lidhje me të gjithë përmbajtjen që u ofrohet.

"Jo vetëm përmbajtja në hapësirën onlajn. Duhet të ketë mendim kritik për përmbajtjen e mediave mejnstrim. Sepse askush nuk ka të drejtë, ose nuk e ka atë vulë të së vërtetës absolute, sepse e vërteta është gjithmonë çështje relative. Një mendim i tillë kritik mund ta çojë lexuesin në atë të mirëfilltën. Në këtë kontekst, mendoj se çdo përmbajtje duhet të adresohet në mënyrë kritike gjatë konsumimit të saj, duhet ta konfirmojë atë edhe me përdorimin e bazave të hapura të të dhënave, ashtu edhe me përdorimin e mediave alternative për informim dhe me krahasimin e lajmeve nga dy ose tre media profesionale, në mënyrë që në fund të konfirmohet se ai lajm është i vërtetë ose se ajo ngjarje i është transmetuar opinionit ashtu siç duhet. Prandaj, tani nuk duhet shumë përpjekje për ta kontrolluar, sepse me dy ose tre klikime në internet mund të zbulohet nëse një lajm është i vërtetë apo i rremë", konkludon Neziri.

Angella Rajçevska

foto: Frosina Naskoviq

Video: Andrej Brankoviq

QËNDRONI TË LIDHUR