• e enjte, 04 korrik 2024

Marinakis: Logjika e përdorimit të emrit kushtetues formalisht, por jo edhe në dalje publike nuk mund të pranohet nga Greqia

Marinakis: Logjika e përdorimit të emrit kushtetues formalisht, por jo edhe në dalje publike nuk mund të pranohet nga Greqia

Athinë, 16 maj 2024 (MIA) - E papranueshme për Greqinë është logjika e përdorimit të emrit kushtetues për komunikim formal, por jo edhe në paraqitje publike nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, sipas zëdhënësit të Qeverisë greke Pavlos Marinakis i cili në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarët, duke iu përgjigjur pyetjes së korrespondentes së MIA-s në Athinë tha se marrëveshja duhet të respektohet në të gjitha formulimet.

Në pyetjen e MIA-s për kumtesën nga kabineti i presidentes rreth përdorimit të emrit Maqedoni dhe emrit kushtetues, Marinakis tha se bëhet fjalë për pozitën më të lartë, për pozitën e presidentit të shtetit, "për një nga shtyllat e demokracisë së një vendi, nuk mund të flasim për gjuhë të dyfishtë dhe të drejtë personale".

"Mendoj se është hipokrite ta thuash dhe ta dëgjosh këtë. Megjithatë për disa gjëra, aty ku duhet, do të jemi formal dhe në daljet tona publike do të bëjmë atë që duam ose sepse besojmë në të ose sepse i shërbejmë publikut tonë. Kjo nuk mund të pranohet nga Greqia dhe as nga asnjë vend tjetër serioz. Kur themi se duhet të biem dakord që marrëveshja të respektohet, sepse ky është detyrimi ynë nga fakti që është ratifikuar kjo marrëveshje, le ta bëjmë këtë në të gjitha formulimet tona. E qartë është se kjo logjikë nuk mund të pranohet nga Greqia", theksoi Marinakis.

Për të tre memorandumet për bashkëpunim të cilat SIRIZA dje ka dorëzuar në Parlament, zëdhënësi qeveritar tha se është "një nga lëvizjet më të pakuptimtë të opozitës".

"Asnjë qytetar grek nuk e kupton se për çfarë është kjo procedurë, pse një nxitim i tillë. Nga momenti që presidenti i Maqedonisë së Veriut nuk e pranon pikën bazë të parë të Marrëveshjes, opozita kryesore në Greqi kërkon që ne të bëjmë gjithçka, të votojmë gjithçka", tha Marinakis dhe shtoi se nëse shohin një qëndrim të përshtatshëm nga Qeveria e re, atëherë do të hyjnë në diskutim konkret.

Në pyetjen e gazetarëve rreth shkrimeve në media se zyra e avokatisë së ministrit aktual të Punëve të Jashtme të Greqisë Jorgos Gerapetritis ka marrë pjesë në hartimin e Marrëveshjes së Prespës, Marinakis kategorikisht ka demantuar një informacion të tillë, duke theksuar se bëhet fjalë për lajme të rrejshme dhe "fantashkencë".

"Z.Gerapetritis as nuk e di, as nuk i ka folur dhe as nuk e ka takuar ndonjëherë Koxiasin, siç na ka treguar vetë. Ai as nuk e di se kush e ka hartuar Marrëveshjen e Prespës dhe është informuar për përmbajtjen kur është bërë publike Marrëveshja", sqaroi zëdhënësi i qeverisë greke. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR