• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Kush janë Huthët dhe pse sulmojnë anije në Detin e Kuq?

Kush janë Huthët dhe pse sulmojnë anije në Detin e Kuq?

12 janar 2024 

Bi-Bi-Si

SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë kryer sulme ajrore ndaj caqeve në Jemen për shkak të sulmeve të huthëve ndaj anijeve transportuese në Detin e Kuq. Huthët janë grup rebelësh, të përkrahur nga Irani, i cili kontrollon pjesë të madhe nga Jemeni. Presidenti amerikan, Xho Bajden deklaroi se armata amerikane dhe britanike, me përkrahje nga Australia, Bahreini, Kanadaja dhe Holanda, herët në mëngjes kanë kryer sulme ndaj rajoneve nën kontroll të huthëve.

Janë qëlluar më shumë se 12 objektiva, duke përfshirë edhe kryeqytetin Sana dhe Hodeidan, port vatër e Huthëve në Detin e Kuq. Cak kanë qenë qendrat logjistike, sistemet për mbrojtje kundërajrore dhe depo për armë.

Pse huthët sulmojnë anije në Detin e Kuq?

Sulmet e Huthëve filluan prej se filloi konflikti mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor. Huthët deklaruan se e përkrahin Hamasin dhe thanë se do ta targetojnë çdo anije që udhëton për në Izrael, shkruan Bi-Bi-Si.

Në nëntor kanë konfiskuar anije transportuese izraelite, e pastaj sulmuan disa anije komerciale me drone dhe raketa balistike. Siulmet e tyre në Detin e Kuq janë rritur për 500 për qind mes nëntorit dhe dhjetorit. Ata u bënë kërcënim aq i madh saqë kompanitë e mëdha të anijeve e ndalën punën në rajon.

Pothuaj 15 për qind nga tregtia globale detare kalon përmes Detit të Kuq, i cili lidhet me Detin Mesdhe përmes Kanalit të Suezit dhe paraqet rutën më të shkurtë mes Evropës dhe Azisë. Kompanitë e mëdha të anijeve, duke përfshirë edhe Kompaninë mediterane të anijeve, Maersk, Hapag-Lojd dhe kompaninë e Naftës BP, thanë se i riorientojnë anijet më larg Detit të Kuq.

Për këtë shkak, tregjet ndërkombëtare druajnë se çmimet e derivateve do të rriten dhe sinxhirët e furnizimit do të prishen. SHBA-ja e akuzoi Iranin se është i përfshirë në planifikimin e operacioneve kundër anijeve komerciale në Detin e Kuq.

Kush janë Huthët 

Huthët janë grup i armatosur nga minoriteti shiit jemenas. Ata janë emëruar sipas themeluesit të lëvizjes, Husein al Huthi. Grupi u formua në vitet e 1990-ta dhe ka luftuar kundër, siç besonin, korrupsionit të presidentit të atëhershëm, Ali Abdulla Saleh.

Saleh, me përkrahje të armatës së Arabisë Saudite, ka tentuar t'i eliminojë Huthët në vitin 2003, por pa sukses. Huthët po zhvillojnë luftë civile kundër Qeverisë jemenase nga viti 2014. Qeveria është përkrahur nga koalicioni i vendeve arabe, të udhëhequra nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Huthët, së bashku me Hamasin dhe Hezbollahun, deklarohen si pjesë e boshtit të rezistencës që Irani e udhëheq kundër Izraelit, SHBA-së dhe Perëndimit më të gjerë.

Kush i mbështet Huthët?

Grupi kryengritës Huthët është modeluar sipas grupit të armatosur shiit në Liban, Hezbollah, i cili u siguron ndihmë dhe trajnim nga viti 2014. Irani është edhe aleat i tyre, duke pasur parasysh se Arabia Saudite është armiku i tyre i përbashkët. Irani dyshohet se i furnizon Huthët me armë dhe u siguron informacione vitale të inteligjencës që u mundësojnë të sulmojnë anije në Detin e Kuq.

"E dimë që Irani është i përfshirë në planifikimin e operacioneve kundër anijeve komerciale në Detin e Kuq. Kjo është në përputhje me mbështetjen afatgjate materiale të Iranit dhe inkurajimin e aksioneve destabilizuese të Huthëve në rajon", tha Adrien Uotson, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare. 

Irani, nga ana tjetër, mohon përfshirje në sulmet në Detin e Kuq. Huthët gjuajtën raketa balistike dhe fluturake pa pilot drejt Izraelit nga fillimi i luftës në Gazë. Në rast se Irani i furnizon me armë, kjo do të nënkuptonte se e ka shkelur embargon për armë të KB-së. Irani, kuptohet, e mohoi këtë. 

Sa pjesë e Jemenit është nën kontroll të Huthëve?

Qeveria zyrtare e Jemenit është Këshilli Presidencial, të cilit presidenti Abdrabuh Mansur Hadi ia transferoi autorizimet e tij në prill të vitit 2022. Megjithatë, selia e qeverisë është në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, pasi Hadi iku aty në vitin 2015. 

Pjesa më e madhe e popullatës jemene jeton në zona nën kontroll të Huthëve. Përveç Sanës dhe pjesës veriore të Jemenit, Huthët e kontrollojnë edhe bregun e Detit të Kuq. Grupi në atë rajon grumbullon tatime dhe shtyp para. Këshilli i Sigurisë së KB-së bën të ditur se deri në vitin 2010 Huthët kanë pasur ndërmjet 100.000 dhe 120.000 ndjekës të përbërë nga ushtarë të armatosur dhe mbështetës të paarmatosur. bsh/fc/

Foto: EPA

 

 

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR