• e diel, 22 dhjetor 2024

Kovaçevski: Në vitin 2030 Maqedonia e Veriut do të jetë shteti i parë anëtar i BE-së nga Ballkani Perëndimor

Kovaçevski: Në vitin 2030 Maqedonia e Veriut do të jetë shteti i parë anëtar i BE-së nga Ballkani Perëndimor

Shkup, 30 gusht 2023 (MIA) - Në vitin 2030, Maqedonia e Veriut do të jetë shteti i parë anëtar i Bashkimit Evropian nga Ballkani Perëndimor, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në tribunën me temë "BE-ja për ekonominë e vendit" ku në Shkup sot filloi fushata “Ne jemi Evropë”.

Kryeministri deklaroi se kryetari i Këshillit Evropian Sharl Mishel dy herë ka përsëritur se ekziston një standard konkret për zgjerimin e BE-së - 2030 dhe se ata që janë më të shpejtë në reformat e tyre, "të parët do të hyjnë në Bashkimin Evropian në vitin 2030".

"Në fillim dua të pastrojmë tre dilema: Së pari, se pas një kohe të gjatë, presidenti i Këshillit Evropian në Bled dhe përsëri në televizionin Sllovenia tha se ekziston një standard konkret për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe është viti 2030 dhe është po ky vit për të cilin themi se Maqedonia e Veriut do të jetë e gatshme", theksoi ai në fillim të tribunës.

Duke komentuar deklaratën e presidentit francez Emanuel Makron, Kovaçevski theksoi se "kjo nënkupton se ata që janë më të shpejtë në reformat e tyre të parët do të hyjnë në Bashkimin Evropian në vitin 2030".

Në aktivitetin e mbajtur në sheshin "Jadran", kryeministri tutje theksoi se të gjitha vendimet strategjike që i merr Qeveria, siç tha, kanë një qëllim shumë të qartë, ai është zhvillimi i ekonomisë, sektorit privat dhe punësimeve të reja. Ai ka sublimuar rezultatet në krahasim me periudhën e vitit 2016.

"Modeli ekonomik i qeverisë, në këtë interval kohor deri në vitin 2022 rezulton me një reduktim historik të numrit të të papunëve për rreth 52 për qind, investimet e huaja direkte për këtë periudhë u rritën 2.5 herë, pensioni mesatar është rritur për 40 për qind, ndërsa në vitin 2023, mesatarja e pagës neto është historikisht më e larta dhe arrin 36.527 denarë. Këto janë 230 euro më shumë në buxhetin familjar", tha kryeministri i cili tha se një rritje e re do të ndodhë në shtator të këtij viti dhe përsëri në mars të vitit 2024.

Sipas Kovaçevskit, efekti pozitiv nuk është vetëm anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por edhe vetë procesi i qasjes.

Rezultatet pozitive nga politika ekonomike e Qeverisë, siç tha, mund të shumëfishohen me vazhdimin e politikave integruese evropiane dhe theksoi se BE-ja ka investuar 3.3 miliardë euro në mjete të pakthyeshme përmes granteve dhe investimeve.

Hyrja në BE, siç tha Kovaçevski, forcon edhe më shumë pozitat e kompanive në vendin tonë dhe do të hapë perspektiva të reja tregtare, ndërsa rritet qasja në tregun e madh të përbashkët evropian.

"BE-ja dhe SHBA-ja janë më të pasurat dhe BPV e tyre është 60 për qind e ekonomisë botërore dhe prandaj të gjithë duan të jetojnë në perëndim, askush nuk shkoi në lindje. Prandaj është më mirë integrimi në BE se sa izolimi dhe kërkimi i alternativave që janë utopike", thekson Kovaçevski.

Ai ndau më shumë të dhëna statistikore për progresin e vendeve anëtare të BE-së dhe theksoi se anëtaret e reja kanë 28 për qind rritje të investimeve të huaja direkte në vit pas anëtarësimit në BE.

Fjalime të tyre sonte kishin edhe zëvendëskryeministri për Çështje evropiane, Bojan Mariçiq, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ambasadori spanjoll etj.

Në këtë manifestim morën pjesë edhe një numër i madh i ministrave qeveritar, ish kryeministri Vllado Buçkovski si dhe disa qytetarë.


Foto: Qeveria e RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR