Koshta: I vlerësojmë përpjekjet e Trampit, por vetëm Ukraina vendos nëse ka kushte për bisedime paqësore
- – I përshëndesim përpjekjet e mëdha të presidentit amerikan Donald Tramp që t’i detyrojë Rusinë dhe presidentin rus Vladimir Putin që të negociojnë, por vetëm Ukraina është ajo që mund të vendosë se kur do të plotësohen kushtet për fillimin e bisedimeve të besueshme dhe të qëndrueshme paqësore, deklaroi sot në Kiev kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta.
- Post By Fitore Curri
- 17:40, 24 shkurt, 2025

Kiev, 24 shkurt 2025 (MIA) – I përshëndesim përpjekjet e mëdha të presidentit amerikan Donald Tramp që t’i detyrojë Rusinë dhe presidentin rus Vladimir Putin që të negociojnë, por vetëm Ukraina është ajo që mund të vendosë se kur do të plotësohen kushtet për fillimin e bisedimeve të besueshme dhe të qëndrueshme paqësore, deklaroi sot në Kiev kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta.
“Do të doja që bisedimet dypalëshe ta hapin derën për bisedime të vërteta paqësore, por vetëm Ukraina mund të vendosë kur ka kushte për këtë”, theksoi Koshta në konferencë për media në fund të vizitës së një grupi të liderëve evropianë në Kiev me rastin e trevjetorit të fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Siç njofton raportuesi nga Kievi i Redaksisë Evropiane të Lajmeve, pjesë e së cilës është edhe MIA, Koshta theksoi se kjo luftë nuk ka lidhje vetëm me Ukrainën, por edhe me sigurinë evropiane, prandaj me rëndësi thelbësore është edhe Evropa të jetë e pranishme dhe të marrë pjesë në bisedimet paqësore.
“Por, jo vetëm Bashkimi Evropian, por edhe miqtë tanë si Norvegjia, Islanda dhe Britania e Madhe, sepse të gjithë ata janë të përfshirë në mbështetjen për Ukrainën dhe janë shumë të shqetësuara për sigurinë evropiane”, tha Koshta.
Për këtë, sipas tij, nëse arrihet marrëveshje për të dërguar të përbashkët evropian, i cili nuk do ta përfaqësojë vetëm BE-në, por edhe vendet e tjera evropiane, kjo do ta fuqizojë pozitën e Evropës. Koshta paralajmëroi se për këtë çështje do të bisedohet në Këshillin e ardhshëm special Evropian, të cilin ai e paralajmëroi dje për më 6 mars.
“Ky Këshill i posaçëm Evropian do të ketë të bëjë me atë se si të forcojmë kapacitetet tona, si të investojmë më shumë, më mirë dhe më shpejt në aftësitë tona, si të forcojmë kapacitetet e Ukrainës, por edhe se si të përgatitemi për pjesëmarrje aktive në negociatat e ardhshme të paqes, nëse ato ndodhin”, shtoi Koshta.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, nga ana e saj porositi se derisa nuk ka shenja të dukshme se Rusia ka vullnet të vërtetë që të arrihet marrëveshje e qëndrueshme dhe e drejtë paqësore nuk mund të flasë për heqjen e sanksioneve ndaj Moskës.
“Sanksionet janë pjesë e qasjes sonë për të kërkuar paqen përmes fuqizimit. Derisa Rusia të tregojë me fakte se ka një vullnet të vërtetë për të arritur një marrëveshje paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë, ne do të forcojmë sanksionet ndëshkuese kundër saj”, theksoi fon der Lajen, në përgjigje të një pyetjeje se si do të reagojë BE ndaj kërkesave të Uashingtonit për heqjen ose lehtësimin e sanksioneve kundër Rusisë.
Sipas saj, aktualisht nuk ka shenja të dukshme se është në horizont një paqe e qëndrueshme dhe e drejtë, ndaj është herët të flitet për lehtësimin e sanksioneve.
“Hapa të tillë do të jenë të mundur vetëm nëse shohim hapa konkretë nga Rusia”, shtoi Fon der Lajen, duke theksuar se është evidente se sanksionet tashmë kanë një ndikim të madh në ekonominë ruse, duke rezultuar në inflacion të lartë dhe largimin e kompanive nga vendi. fc/
Fotografia: EPA