• e martë, 24 dhjetor 2024

Konferenca: Çrregullimi i shëndetit mendor është një epidemi 'e heshtur' pas pandemisë të Kovid-it, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë

Konferenca: Çrregullimi i shëndetit mendor është një epidemi 'e heshtur' pas pandemisë të Kovid-it, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë

Shkup, 3 maj 2023 (MIA) - Shëndeti mendor si temë po diskutohet gjithnjë e më shumë në nivel global sepse problemet e zakonshme të shëndetit mendor si depresioni dhe ankthi konsiderohen si një nga shkaqet kryesore të aftësive të kufizuara në nivel global. Probleme të tilla kanë shprehur pasoja negative për shëndetin fizik dhe mendor të individëve, por edhe për sistemin kombëtar shëndetësor dhe social, theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në konferencën e sotme kombëtare për shëndetin mendor dhe hapat që do të ndërmerren, të organizuar nga UNICEF-i.

“Ky është një element multi-sektorial ku duhet të marrin pjesë më shumë aktorë qeveritarë në trajtimin e shëndetit mendor. Ne si Ministri e Shëndetësisë jemi krenarë që kemi arritur me mbështetjen e UNICEF-it dhe USAID-it, si dhe të Klinikave Universitare të Psikiatrisë dhe Gjinekologjisë, të ofrojmë të dhëna shkencore, për herë të parë në një shkallë të tillë në vend, për këtë temë, me fokus adoleshentët dhe familjet e tyre, si dhe gratë në periudhën perinatale. Ne i bazojmë aktivitetet tona në një qasje shkencore, domethënë mjekësi të bazuar në prova. Prandaj, një falënderim i madh për UNICEF-in për mbështetjen e treguar për këto aktivitete kërkimore shkencore, ndërsa ne iu përgjigjëm me raporte të cilësisë së lartë, të konfirmuara edhe me vlerësime nga institucione të njohura ndërkombëtare për cilësinë e analizave”, theksoi ministri.

Ministria e Shëndetësisë, siç sqaroi ai, tashmë ka një Strategji për Shëndetin Mendor 2018-2025, por gjithsesi besojnë se ka mundësi për ta rishikuar, veçanërisht tek fokusi për fëmijët dhe adoleshentët.

“Prioriteti i parë i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë është shëndeti mendor i fëmijëve dhe adoleshentëve, pra zhvillimi i një rrjeti institucionesh në vend me ndihmën e Bashkimit Evropian - gjatë këtij viti priten plane projektesh specifike. Kemi vënë re mungesë shërbimesh dhe është evidente se çrregullimet e shëndetit mendor janë një epidemi “e heshtur” pas pandemisë së Kovid-it, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë, nënvizoi ai.

Ministri tha se për punë cilësore në fushën e shëndetit mendor nevojiten ekspertë.

“Megjithatë, një element shumë i rëndësishëm është edhe, ndërgjegjësimi dhe realizimi i fushatave publike për promovimin e shëndetit mendor, si dhe ulja e stigmës për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje. Shëndeti mendor i dëmtuar nuk është një diagnozë klasike shëndetësore, përkundrazi, këtu po flasim për shëndetin dhe mirëqenien mendore pozitive, e cila nuk duhet parë vetëm si një fenomen mjekësor, por shumë më tepër se kaq. Nga aspekti shëndetësor, ne gjithashtu mund të diskutojmë mbështetjen dhe zhvillimin e modaliteteve të ndryshme të shërbimeve për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve, dhe forcimin e atyre ekzistuese - prandaj si Ministri ne bashkëpunojmë në mënyrë aktive me Klinikën e psikiatrisë, për të shqyrtuar rekomandimet nga studimet dhe mënyrën e zbatimit të një pjese të rekomandimeve, shtoi ai.

Krahas ndërtimit të kapaciteteve njerëzore, siç theksoi ministri, Ministria e Shëndetësisë po kujdeset edhe për përmirësimin e kushteve të infrastrukturës.

Është koha të thyejmë heshtjen dhe të flasim sinqerisht, me zë të lartë dhe hapur për shëndetin mendor, tha bashkëshortja e presidentit të vendit, Elizabeta Gjorgievska.

“Shëndeti mendor është një çështje globale. Mbi 1 miliard njerëz, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), përjetojnë probleme të shëndetit mendor, ndërsa UNICEF-i vlerëson se 1 në 7 fëmijë dhe të rinj në mbarë botën kanë një lloj problemi të shëndetit mendor. Sot do të kemi mundësinë të dëgjojmë konstatimet e fundit të hulumtimit mbi ndikimin e KOVID-19 në shëndetin mendor tek adoleshentët dhe familjet e tyre, si dhe tek gratë në periudhën perinatale në Maqedoninë e Veriut. E mirëpres këtë studim jashtëzakonisht domethënës të kryer nga UNICEF-i në bashkëpunim me Klinikën Universitare të Psikiatrisë në Shkup, me të cilin jo vetëm kemi një pasqyrë më të qartë të situatës në vend për këtë çështje kritike, por edhe drejtime se si të kapërcehen këto sfida”, tha ajo.

Fakti që reagimi i sotëm është kaq i madh, prania dhe përkushtimi juaj, secili në fushën e vet, siç shtoi ajo, pasqyron arritjen e qëllimit të përbashkët – krijimin e një hapësire të sigurt dhe akses në shërbime për përmirësimin e shëndetit mendor.

Të thyejmë stereotipet dhe të krijojmë një mjedis në të cilin kujdesi ndaj shëndetit mendor do të pranohet përgjithësisht, theksoi Gjorgievska, dhe kjo të mos jetë një temë tabu.

“Një mjedis në të cilin kërkimi i ndihmës do të njihet si një shenjë fuqie, jo dobësie. Le të sigurohemi që fëmijët tanë, partnerët, kolegët, miqtë tanë të ndihen të sigurt dhe të mbështetur kur flasin për problemet që po kalojnë, si do t'u jepnim një dorë për të dalë nga vorbulla e emocioneve dhe mendimeve negative, të ndjekura shpesh nga ankthi apo depresioni. Në fund, dua t'u them të gjithëve që po kalojnë sfidat e shëndetit mendor të dëmtuar se nuk janë vetëm, se kjo gjendje nuk i përcakton, përkundrazi, lufta kundër saj do t'i stimulojë dhe motivojë. Përparimi është i arritshëm dhe problemi është pothuajse i tejkaluar në momentin që ju bëni hapin e parë - të kërkoni ndihmë. Sepse asgjë nuk është më e rëndësishme se të kujdesesh për veten”, nënvizoi ajo.

Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale Enver Hysejini theksoi rëndësinë e ngjarjes së sotme dhe tha se është i nderuar dhe i kënaqur që është këtu.

Ai deklaroi se shëndetit mendor i kushtohet shumë pak vëmendje.

Përfaqësuesja e UNICEF-it Patricia Di Xhovani tha se gjatë gjithë jetës së tyre, fëmijët dhe të rinjtë përjetojnë nivele të ndryshme të shëndetit dhe mirëqenies mendore pozitive.

“Investigimet globale sugjerojnë se një në 10 prej tyre do të përjetojë gjithashtu një gjendje të shëndetit mendor. Gjithashtu, sipas një sondazhi global të UNICEF-it, tre nga katër problemet e shëndetit mendor tek të rriturit kanë filluar gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që problemet e shëndetit mendor të adresohen herët”, theksoi ajo.

Të pranishmëve iu drejtua edhe zëvendësministri i Arsimit Agim Nuhiu.

Foto: Darko Popov MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR