• e hënë, 30 dhjetor 2024

KE-ja me rastin e Ditës botërore të refugjatëve: BE do të mbetet vend për mbrojtjen dhe sigurinë e refugjatëve

KE-ja me rastin e Ditës botërore të refugjatëve: BE do të mbetet vend për mbrojtjen dhe sigurinë e refugjatëve

Bruksel, 20 qershor 2024 (MIA) - Sot në Ditën botërore të refugjatëve, kur një rekord me më shumë se 120 milionë njerëz janë zhvendosur me forcë në mbarë botën, BE-ja rikonfirmon angazhimin e saj të palëkundur që BE-ja të jetë donatori kryesor global në mbështetje të refugjatëve në mbarë botën, thuhet në deklaratën e përbashkët të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë të Unionit për politikë të jashtme dhe siguri, Zhosep Borel me rastin e 20 qershorit - Ditës botërore të refugjatëve.

 "Ne jemi të përkushtuar të forcojmë përpjekjet tona për të siguruar që BE-ja të mbetet një vend ku refugjatët mund të gjejnë mbrojtje dhe siguri. Konkretisht, BE-ja po zbaton në mënyrë aktive premtimin e saj të dhënë në Forumin global të refugjatëve në vitin 2023 për të përmirësuar situatën e miliona refugjatëve dhe njerëzve të zhvendosur me forcë nga konfliktet dhe krizat e mëdha humanitare në mbarë botën, si Gaza, Ukraina, Siria, Afganistani, Mianmari, Venezuela, Jemeni, Sudani, Çadi dhe Republika Demokratike e Kongos", thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se BE-ja gjithashtu mbështet vendet në trajtimin e problemit të personave pa shtetësi dhe në forcimin e sistemeve të tyre të azilit.

"Fokusi ynë është te zgjidhjet e qëndrueshme, duke punuar së bashku me autoritetet kombëtare dhe lokale për t'iu përgjigjur nevojave të refugjatëve dhe komuniteteve të tyre që i marrin. Në këtë drejtim, ne tashmë po punojmë me qeveritë në Kenia, Sudanin Jugor, Ugandë, Etiopi, Burkina Faso dhe Mauritani për t'i mbështetur përpjekjet e tyre për të integruar refugjatët në sistemet kombëtare", shtuan KE-ja dhe Boreli. qa/

Foto: EEAS

 

QËNDRONI TË LIDHUR