• e shtunë, 24 shkurt 2024

ITSHKSH me aktivitete të shumta kujton Nëntorin e shenjtë bashkë me shqiptarët e Kroacisë

ITSHKSH me aktivitete të shumta kujton Nëntorin e shenjtë bashkë me shqiptarët e Kroacisë

Shkup, 29 nëntor 2023

Nga data 23 deri më 27 nëntor, për nder të 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u zhvilluan disa aktivitete në Kroaci, ku drejtori i Instititit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, prof.dr. Skender Asani , ishte i pranishëm me disa kontribute.

Fillimisht, në Zagreb, në ambientet “Amzës Kroate”, Shoqata e gruas shqiptare “Drita” e Zagrebit, e drejtuar nga zonj. Dori Kerni, organizoi promovimin e librit “Bota shqiptare – e veçanta dhe universalja”, të autorit Skender Asani. Me këtë rast drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, u dhuroi një koleksion të pullave postale me figurën e Motrave Qiriazi, të emetuara nga Postat e Maqedonisë.

Për librin përpos nikoqires, zonj. Kerni, folën edhe z. Milaim Fetahu, ambasador i RMV në Kroaci, z. Martin Berishaj, ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci dhe botuesi Emi Azemi. Ky i fundit tha se libri “Bota shqiptare (e veçanta dhe universalja)” i studiuesit dhe historianit Skender Asani përfaqëson mendimin e artikuluar intelektual mbi disa trajta të formimit dhe zhvillimit të botës shqiptare vizavi proceseve që kanë ndodhur në një të kaluar jo shumë të largët, por edhe në dimensionin aktual. Me këtë liber, tha ai, autori determinon nevojën e rishikimit të raporteve në mes të njerëzve, por mbi disa premisa krejtësisht humane e bashkëpunuese.

Dita pasuese, 25 nëntori (e shtunë) gjithashtu ishte e ngjeshur me aktivitete. Pos takimeve me intelektualë e veprimtarë të Zagrebit dhe drejtori Asani në mbrëmjen e së shtunës mori pjesë në tribunën shkencore “38 martirët shqiptarë të kishës katolike”, organizuar nga Misioni Katolik Shqiptar i Zagrebit. Pjesëmarrës të kësaj tribune ishin edhe Don Lush Gjergji dhe disa përfaqësues të klerit katolik nga Kroacia dhe Shqipëria.

Në kumtesën e tij me titull “Historia e krishterimit të shqiptarëve është ngusht i lidhur me martizizimin”, dhe me këtë rast, tha ai, konfirmohet edhe shprehja e Tertullianit: “Sanguis martyrum semen christianorum”, (gjaku i martirëve është fara e krishterimit). Duke iu referuar historisë së vjetër, konkretisht Martyrologium Romanum, Asani vuri në dukje edhe disa emra martirësh të parë nga viset iliro-arbërore: Shën Asti në Durrës në fillim të shekullit II, Shën Terini në Butrint(Buthrotum) në shekullin III, pastaj martirët dardanë Flori dhe Lauri në Ulpianë, në fund të shekullit II pas Krishtit, të cilët përqafimin e hershëm të krishterimit e paguan me jetë.

Nën organizim dhe mikëpritje bujare të bashkësive shqiptare të Istrës dhe Rijekës, në vazhdim u bë prezantimi i librit dyvëllimësh “Ilegalja shqiptare-pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”.

Në vazhdim Selim Mulliqi dhe Rok Leka nga Bashkësia shqiptarë e prefekturës së Istres, kishin organizuar në Pulë promovimin e librit dyvëllimësh “Ilegalja shqiptare- pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”.Përveç autorëve Skender Asani dhe Besnik Rameti, të pranishëm në këtë promovim ishin edhe deputetja Ermina Lekaj Përlaskaj, si dhe ambasadorët Berishaj dhe Fetahu.

Prezantimin e këtij libri e bëri më atraktiv edhe debati që u zhvillua pas fjalëve të autorëve dhe panelistëve të tjerë.

Prof. Dr. Skender Asani, duke folur mbi rëndësinë e këtij libri, tha se e kaluara e shqiptarëve ka qenë e dhimbshme dhe ajo nuk guxon të përsëritet, prandaj nevojitet bashkim dhe mirëkuptim. Edhe ky libër me dokumente autentike mëton të hedh dritë mbi nevojën e përfarimit të shqiptarëve, sepse, siç tha prof.dr. Skender Asani, shqiptarët nuk guxojnë të shikohen më përmes tytës së armëve, por përmes projekteve mobilizuese e përbashkuese.

Libri i njejtë u paraqit edhe para Bashkësisë shqiptare të Rijekës, kurse në ditën e fundit të qëndrimit në Kroaci, më 27 nëntor (e hënë), prof.dr. Skender Asani, zhvilloi një takim pune me Gjon Antonin në Opati, pinjoll i trungut familjar të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, me të cilin i konkretizoi disa ide që do të jenë bazë e projektit të radhës, të cilin ITSHKSH do ta zhvilloj në muajt në vazhdim.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup

_______________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Fotografia: Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup

QËNDRONI TË LIDHUR