• e premte, 22 nëntor 2024

Pas kërkesës së PTHP Shkup, shtyhet seanca e caktuar për vrasjen e Vanjës dhe Pançes

Pas kërkesës së PTHP Shkup, shtyhet seanca e caktuar për vrasjen e Vanjës dhe Pançes

Shkup, 26 korrik 2024 (MIA) - Gjykata Themelore Penale Shkup e shtyu fillimin e rastit për vrasjen e dyfishtë të së miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski nga Velesi.

Siç informoi sot Gjykata Penale, shtyrja e seancës e cila ishte caktuar për 30 korrik është me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike Shkup e cila dje njoftoi se do të propozojë bashkimin e procedurës në të cilën fillimisht ishin akuzuar Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski, me procedurë ndaj të dyshuarit të parë Lupço Palevski, për të cilin hetimet përfunduan dje.

"Prokuroria Themelore Publike Shkup deri te Gjykata Themelore Penale Shkup më 26.07.2024 ka paraqitur Propozim për shtyrjen e seancës së caktuar kryesore për lëndën me K. nr. 1339/24, planifikuar për më datën 30.07.2024, ndërsa lidhur me vrasjen e dyfishtë të të miturës V.GJ. dhe P.ZH. nga Velesi. Gjegjësisht, duke pasur parasysh faktin se hetimi ndaj të dyshuarit L.P. ka përfunduar dhe pas skadimit të afateve ligjore pas njoftimit për procedurën e përfunduar hetimore, do të ngrihet dhe dorëzohet aktakuzë e cila i referohet të njëjtës ngjarje penalo-juridike për të cilën rasti K. nr. 1339/24 kundër katër të akuzuarve të tjerë, ndërsa njëherësh bëhet fjalë për prova të njëjta, nga PTHP Shkup, sipas nenit. 28 të Kodit të Procedurës Penale do të bëhet propozim për bashkimin e dy procedurave", thuhet në njoftimin e Penales.

Nga aty shtojnë se duke marrë parasysh propozimin e pranuar të Prokurorisë dhe për hir të ekonomisë dhe efikasitetit të procedurës, gjykata ka hequr urdhrat për sjelljen e të akuzuarve të cilët janë në vuajtje të masës së paraburgimit dhe masës së arrestit shtëpiak, ndërsa Këshilli gjykues, në pajtim me mbrojtjen, do të caktojë datë të re për fillimin e seancës kryesore, për të cilën menjëherë do të njoftohen palët dhe opinioni.

Prokuroria Themelore Publike Shkup në maj të këtij vitit solli aktakuzë kundër katër personave për rrëmbim dhe vrasje brutale të 14 vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74 vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Të akuzuar janë Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski. 

Nga Prokuroria dje njoftuan se është kryer edhe hetimi për Lupço Palevskin, i dyshuari kryesor për rrëmbimin e dyfishtë dhe vrasjen mizore, si dhe një person tjetër i dyshuar si ndihmës pas kryerjes së krimit, ndaj të cilit procedura do të zhvillohet veçmas. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR