Ishujt e vegjël grekë po shqyrtojnë mundësinë për vendosjen e taksës turistike për vizita njëditore
- Ishujt e vegjël grekë Paksi dhe Itaka në Detin Jon po shqyrtojnë mundësinë e kërkesës për vendosjen e një takse të veçantë për vizitat njëditore nga turistët për shkak të turizmit të tepërt, duke ndjekur shembullin e ishullit Simi, shkruan gazeta greke "Kathimerini", raportoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:44, 6 gusht, 2025
Athinë, 6 gusht 2025 (MIA) - Ishujt e vegjël grekë Paksi dhe Itaka në Detin Jon po shqyrtojnë mundësinë e kërkesës për vendosjen e një takse të veçantë për vizitat njëditore nga turistët për shkak të turizmit të tepërt, duke ndjekur shembullin e ishullit Simi, shkruan gazeta greke "Kathimerini", raportoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Kryetari i bashkisë së Simit, një ishull i vogël në afërsi të Rodosit dhe bregdetit turk, muajin e kaluar kërkoi leje nga Ministria greke e Punëve të Brendshme për të vendosur taksë prej tre euro për vizitorët që vijnë për një ditë, dhe ky shembull mund të ndiqet edhe nga Paksi dhe Itaka.
"Kathimerini" shkruan se kryetarët e bashkive të të dy ishujve po presin rezultatin e iniciativës së Simit dhe më pas do të marrin vendimet e tyre.
Kryetari i bashkisë së Paksit, Spiridon Vlahopoulos për gazetën ka thënë se nëse Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, lejon vendosjen e një takse të tillë, atëherë ai është gati ta ngrejë çështjen specifike në një mbledhje të këshillit bashkiak për të marrë një vendim.
Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë së Itakës, Dionisis Stanicas ka theksuar se në fund t[ sezonit do të vlerësohet mundësia konkrete.
Paksi, Itaca, si dhe Simi janë ishuj të vegjël me 2.500 - 3.000 banorë, dhe çdo vit përballen me një numër të madh turistësh, dhe vendosja e mundshme e një takse për turistët që mbërrijnë në ishuj për një ditë pa qëndruar gjatë natës do të synonte forcimin e shërbimeve bazë në ishuj.
Foto: Arkivi i MIA-s