• e hënë, 23 dhjetor 2024

IDF: Rënie e ndjeshme në numrin e rezervistëve që regjistrohen në armatën e Izraelit

IDF: Rënie e ndjeshme në numrin e rezervistëve që regjistrohen në armatën e Izraelit

 Tel Aviv, 11 nëntor 2024 (MIA) - Javët e fundit, Izraeli ka shënuar një rënie të ndjeshme të numrit të rezervistëve të paraqitur në detyrë, në krahasim me fillimin e luftës, raportoi sot "Tajms of Izrael".

Në fillim të luftës, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) publikuan se më shumë se 100 për qind e rezervistëve të thirrur iu përgjigjën detyrës. Në disa njësi, shkalla e pjesëmarrjes ishte deri në 150 për qind, pasi shumë rezervistë u lajmëruan për detyrë, pavarësisht se nuk morën një thirrje formale. Në javët e fundit, shkalla e reagimit në njësitë rezervë që aktualisht luftojnë në Liban dhe Rripin e Gazës ka lëvizur midis 75 dhe 85 për qind, sipas burimeve ushtarake. 

 Rënia u atribuohet individëve që luftuan për më shumë se një vit në luftë, ishin larg familjeve të tyre për periudha të gjata, humbën punën ose humbën studimet akademike. Ndër arsyet për rënien e pjesëmarrjes së rezervistëve është pakënaqësia me dështimin e vendit për të tërhequr ata nga komuniteti hebre ultra-ortodoks, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve nga komunitetet sekulare mbetet e lartë.

 IDF ka tentuar t'i forcojë radhët e saj dhe ka zgjatur kohëzgjatjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për të liruar rezervistët, pasi shumë prej tyre kanë kaluar tashmë pjesën më të madhe të luftës me uniformë dhe pritet të thirren për më shumë se 100 ditë shërbim edhe vitin e ardhshëm.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR