Hërnçirova: Nëntë shtete evropiane kanë ofruar ndihmë pas rastit në Koçan
- Bashkimi Evropian po tregon solidaritetin e tij pas zjarrit tragjik në Koçan dhe i është përgjigjur kërkesës së Maqedonisë së Veriut për aktivizimin e Mekanizmit të mbrojtjes civile, informoi sot zëdhënësja e Komisionit Evropian për të drejta dhe aftësi sociale, gatishmëri, barazi, kulturë dhe shëndetësi, Eva Hërnçirova.
- Post By Fami Bajrami
- 13:10, 17 mars, 2025

Bruksel, 17 mars 2025 (MIA) - Bashkimi Evropian po tregon solidaritetin e tij pas zjarrit tragjik në Koçan dhe i është përgjigjur kërkesës së Maqedonisë së Veriut për aktivizimin e Mekanizmit të mbrojtjes civile, informoi sot zëdhënësja e Komisionit Evropian për të drejta dhe aftësi sociale, gatishmëri, barazi, kulturë dhe shëndetësi, Eva Hërnçirova.
"Ne kemi reaguar menjëherë dhe kemi ofruar evakuimin e pacientëve me djegie të rënda. Nëntë vende evropiane – Kroacia, Greqia, Rumania, Sllovenia, Suedia, Lituania, Luksemburgu, Hungaria dhe Norvegjia – kanë ofruar menjëherë ndihmë dhe mund të vijojë ndihma shtesë", ka thënë Hërnçirova.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, ajo theksoi se disa pacientë tashmë janë transferuar në Hungari me mbështetjen e Luksemburgut, ndërsa me mbështetjen e Rumanisë të tjerët janë transferuar në Lituani.
"Tani koordinojmë evakuimet e ardhshme mjekësore në vendet e tjera dhe ofrojmë trajtim", ka thënë zëdhënësja e KE-së.
Komisioni Evropian dje ka konfirmuar për MIA-n se BE-ja ka pranuar kërkesë nga vendi për ndihmë në përballjen me pasojat e zjarrit në lokalin e natës në Koçan.
“Dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit nga zjarri tragjik në Koçan", ka thënë Hërnçirova.
Foto: arkivi i MIA-s