Hërnçirova: Lista e publikuar e vendeve që ofruan ndihmë për Maqedoninë e Veriut nuk është përfundimtare
- Lista e vendeve që i kanë ofruar ndihmë Maqedonisë së Veriut nuk është përfundimtare dhe është bërë në një periudhë të caktuar kohore, ndërsa bëhet fjalë për një proces që është në vijim, deklaroi sot zëdhënësja e Komisionit Evropian për të drejta dhe aftësi aociale, gatishmëri, barazi, kulturë dhe shëndetësi, Eva Hërnçirova.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 14:42, 17 mars, 2025

Bruksel, 17 mars 2025 (MIA) - Lista e vendeve që i kanë ofruar ndihmë Maqedonisë së Veriut nuk është përfundimtare dhe është bërë në një periudhë të caktuar kohore, ndërsa bëhet fjalë për një proces që është në vijim, deklaroi sot zëdhënësja e Komisionit Evropian për të drejta dhe aftësi aociale, gatishmëri, barazi, kulturë dhe shëndetësi, Eva Hërnçirova.
"Kemi marrë oferta nga vende të tjera dhe mund të them se Maqedonisë së Veriut tashmë i kemi ofruar më shumë ndihmë se sa ka kërkuar", deklaroi Hërnçirova në përgjigjen e pyetjes së gazetarit bullgar pse mes shteteve që i kanë ofruar ndihmë vendit pas zjarrit në Koçan, të cilat ajo paraprakisht i bëri të ditur, nuk e përmendi Bullgarinë.
Hërnçirova theksoi se kërkesës së vendit ende po i përgjigjet, që nuk do të thotë se Bullgaria nuk ka ofruar asgjë.
Kryezëdhënësja e KE-së, Paula Pinjo, shtoi se lista e vendeve që i kanë ofruar ndihmë shtetit, e shpallur më parë nga Hërnçirova, nuk është përfundimtare dhe do të plotësohet me ato që ofrojnë mbështetje.
Hërncirova më parë informoi se nëntë vende evropiane ofruan menjëherë ndihmë pas zjarrit në Koçan, duke përmendur Kroacinë, Greqinë, Rumaninë, Slloveninë, Suedinë, Lituaninë, Luksemburgun, Hungarinë dhe Norvegjinë, por jo edhe Bullgarinë.
Foto: Arkivi i MIA-s