• e martë, 18 mars 2025

Vuçiq gjatë vizitës së pacientëve nga Koçani në QKU në Beograd: Do të pranojmë 29 të lënduar në Serbi

Vuçiq gjatë vizitës së pacientëve nga Koçani në QKU në Beograd: Do të pranojmë 29 të lënduar në Serbi

Beograd, 17 mars 2025 (MIA) - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së të lënduarve nga zjarri në diskotekën në Koçan, të cilët po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Serbisë, tha se gjithsej 29 të lënduar do të pranohen në objektet shëndetësore në vend, njofton MIA nga Beogradi.

Ai ka theksuar se Serbia i ka kushtet spitalore më të mira në Evropë.

"Është e pamundur të gjesh shërbime më të mira në Evropë. Askund në Evropë nuk ka kujdes intensiv me kushte më të mira se këtu në Beograd".

"Kisha mundësinë t'i vizitoj personat që u lënduan në tragjedinë e tmerrshme në Koçan të Maqedonisë së Veriut. Nëntë prej tyre shtrihen këtu në Qendrën klinike. Së pari vizitova dy, dhe më pas së bashku vizituam shtatë. Personi i fundit që kemi vizituar është në rrezik për jetën, por të tjerët jo. Shkalla e djegies është katër për qind", tha ai.

Vuçiq shtoi se te disa pacientë problemi më i madh janë lëndimet e sistemit të frymëmarrjes.

"Do të vijnë edhe 12 pacientë të tjerë, i kemi në Akademinë Mjekësore Ushtarake, i kemi në Qendrën Klinike në Nish. Do të arrijnë edhe 12 pacientë të tjerë dhe siç janë gjërat tani, gjithsej 29 pacientë do të jenë në Serbi", tha Vuçiq. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR