Plenkoviq: Katër të lënduar nga Maqedonia e Veriut për dy ditë do të transferohen në Kroaci
- Katër persona të lënduar nga zjarri në një klub nate në Maqedoninë e Veriut për dy ditë do të arrijnë në Kroaci me helikopterë të armatës kroate, deklaroi sot kryeministri Andrej Plenkoviq duke shprehur edhe një herë ngushëllime për familjet e viktimave dhe duke u uruar të mbijetuarve shërim të shpejtë.
- Post By Fami Bajrami
- 13:56, 17 mars, 2025

Zagreb, 17 mars 2025 (MIA) - Katër persona të lënduar nga zjarri në një klub nate në Maqedoninë e Veriut për dy ditë do të arrijnë në Kroaci me helikopterë të armatës kroate, deklaroi sot kryeministri Andrej Plenkoviq duke shprehur edhe një herë ngushëllime për familjet e viktimave dhe duke u uruar të mbijetuarve shërim të shpejtë.
"Do të arrijnë, mendoj, pas dy ditësh. Nesër helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes, gjegjësisht armatës kroate do të marrin katër pacientë të lënduar. Kështu është marrëveshja dhe komunikimi me autoritetet e Maqedonisë", u tha Plenkoviqi sot gazetarëve.
Ai shtoi se menjëherë e ka telefonuar kolegun e tij Hristijan Mickoski kur ka dëgjuar për tragjedinë.
“Është vërtet një tragjedi e madhe. Të gjitha informacionet që mundëm të ndjekim dje dhe sot tregojnë se kjo është diçka e paprecedentë për Maqedoninë e Veriut dhe edhe një herë shpreh ngushëllimet e mia për familjet e të gjithë viktimave, ndërsa të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”, ka thënë kryeministri.
Disa dhjetëra persona të lënduar rëndë janë transportuar ose përgatiten për transport në disa vende fqinje, përfshirë Bullgarinë, Greqinë, Serbinë, Kroacinë dhe Turqinë, njoftuan sot autoritetet e vendit.
Foto: arkivi i MIA-s