• e enjte, 29 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Gill: Me pezullimin e kundërmasave të tarifave amerikane lëmë hapësirë për bisedime

Gill: Me pezullimin e kundërmasave të tarifave amerikane lëmë hapësirë për bisedime

Bruksel, 10 prill 2025 (MIA) - Qëllimi i pezullimit të kundër-tarifave evropiane për importet amerikane që sot e paralajmëroi kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen është të sigurohet hapësirë maksimale për konsultime me vendet anëtare të BE-së dhe industrinë evropiane, si dhe për bisedime me SHBA-në, kumtoi sot zëdhënësi i KE-së për Siguri Ekonomike, Tregti dhe Dogana, Olof Gill.

"Duam të flasim, vlerësojmë pezullimin e paralajmëruar (amerikan) në të ashtuquajturat tarifa reciproke dhe ne si kthim tani po i pezullojmë kundërmasat tona të propozuara", tha Gill.

Fon der Lajen sot kumtoi se BE-ja ka vendosur të pezullojë për 90 ditë kundër-masat për importin e produkteve amerikane, si përgjigje e paralajmërimit të presidentit të SHBA-së, Donald Tramp se, gjithashtu, për një periudhë prej 90 ditë do të "pezullojë" vendosjen e disa tarifave reciproke për importin e mallrave në vend nga dhjetëra vende.

Gill sqaroi se vendimi i BE-së për pezullimin i referohet kundër-tarifave në lartësi prej 10 deri 25 për qind për importin në Union të një sërë produktesh amerikane, përfshirë duhanin, motoçikletat, çelikun dhe aluminin, të miratuara dje si përgjigje e tarifave amerikane për import të çelikut dhe aluminit nga Unioni në lartësi prej 25 për qind, të cilat hynë në fuqi muajin e kaluar. 

"Qasja jonë mbetet e pandryshuar. Jemi duke u përgatitur për të gjitha rezultatet e mundshme. Të gjitha instrumentet tona janë në tryezë. Ne duam të flasim me amerikanët dhe duam të arrijmë një marrëveshje nga e cila përfitojnë të dyja palët. Ne kemi ofruar tarifa 'zero për zero' për produktet industriale, për të cilat besojmë se mund të arrijmë një zgjidhje të favorshme për të shmangur tarifat," shtoi Gill.

Sipas tij, aktualisht ka “një pauzë”, e cila do të mundësojë kohë për mendim, analizë dhe diskutime për të arritur qëllimin e BE-së për të sjellë amerikanët në tryezën e bisedimeve dhe për të gjetur një marrëveshje.

"Ajo që ndodhi sot është si përgjigje e paralajmërimit të Presidentit Tramp, ne e shtypëm butonin e pauzës dhe deri në njoftimin e mëtejshëm, ai do të jetë i shtypur," shtoi Gill.

Në pyetjen nëse vendimi për të pezulluar kundër-tarifat evropiane një ditë pas miratimit të tyre, vetëm për shkak se Tramp tha se do të "pezullonte" tarifat reciproke, nuk e vë në pikëpyetje besueshmërinë e BE-së, Gill u përgjigj se nuk ka dyshim për besueshmërinë e Unionit nga shtetet anëtare, industria evropiane dhe partnerët e saj tregtarë në mbarë botën "të cilët presin radhën e tyre për të nënshkruar marrëveshjen tregtare me bllokun".

"Ata e dinë që ne jemi stabil, të besueshëm, të parashikueshëm dhe ndjekim rregullat, kështu që unë nuk pajtohem thelbësisht me premisën e asaj pyetjeje. Unë mendoj se ju mund të shihni se veprimet tona në këtë sagë kanë qenë të qëndrueshme që në fillim," tha Gill.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari në lidhje me qëndrimin e BE-së në lidhje me deklaratën e Trampit se SHBA-ja dëshiron të negociojë për marrëveshje tregtare me shtete individuale anëtare të BE-së, zëvendës-zëdhënësi kryesor i KE-së, Stefan de Kersmaeker, deklaroi se tregtia është në kompetencë ekskluzive të Komisionit. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR