• e diel, 11 janar 2026

Fidan për vizitë në Ukrainë

Fidan për vizitë në Ukrainë

Ankara, 29 maj 2025 (MIA) - Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan sot dhe nesër është për vizitë në Ukrainë me ftesë të kolegut të tij ukrainas, Andrij Sibiha, njoftoi agjencia Anadolia, duke iu referuar burimeve diplomatike.

Është paraparë që Fidani  të takohet me presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenski dhe kryeministrin Denis Shmihal, si dhe të mbajë takime bilaterale me funksionarë të lartë, mes të cilëve Sibiha dhe Andrij Jermak, shefin e Kabinetit të presidentit ukrainas, si dhe ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Rustem Umerov, i cili e ka udhëhequr delegacionin ukrainas në biseda të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Rusisë, të mbajtura në Stamboll më 16 maj të vitit 2025, shtuan burimet.

Gjatë takimeve, pritet që ministri turk i Punëve të Jashtme të bisedojë për hapat që mund të ndërmerren për zhvillim të marrëdhënieve bilaterale, posaçërisht në sferat e tregtisë, energjetikës, mbrojtjes dhe sigurisë, si pjesë të bashkëpunimit të vendosur në bazë të partneritetit strategjik mes Ankarasë dhe Kievit.

Fidani, po ashtu, do të riafirmojë mbështetjen e Turqisë për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Ministri turk i Punëve të Jashtme do t'i cek edhe pasojat gjithnjë më serioze negative nga lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, duke theksuar nevojën për t'i dhënë fund luftës përmes diplomacisë dhe për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Për këtë qëllim, Fidani pritet të shprehë gatishmërinë e Turqisë për të luajtur rolin e saj, siç ka bërë deri tani dhe për t'u bërë nikoqir të bisedimeve të mëtejshme midis Kievit dhe Moskës.

Ai gjithashtu do të shpreh gatishmërinë e Ankarasë për të luajtur rol në rindërtimin e Ukrainës dhe do të theksojë rëndësinë e garantimit të sigurisë së anijeve në Detin e Zi.

Fidani paraprakisht këtë javë vizitoi edhe Moskën. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR