• e hënë, 01 korrik 2024

Gashi, Mexhiti dhe Kasami kërkojnë që gjuha shqipe dhe korrupsioni të diskutohen bashkë me ndryshimet kushtetuese

Gashi, Mexhiti dhe Kasami kërkojnë që gjuha shqipe dhe korrupsioni të diskutohen bashkë me ndryshimet kushtetuese

Shkup, 17 gusht 2023 (MIA) - Kryetarët e Alternativës, Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Demokratike, Afrim Gashi, Bilal Kasami dhe Izet Mexhiti, sot në një konferencë të përbashkët për media para Kuvendit kërkuan që urgjentisht të votohet nevoja për ndryshimin e Kushtetutës, për të kaluar fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese dhe siç thonë ata, le të hyjmë në procesin thelbësor të këtyre ndryshimeve. Krahas kësaj, ata kërkuan nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi që të vendosë ndryshimet për, siç thuhet në deklaratë, ndryshimin e emërtimit fyes prej 20 për qind për gjuhën shqipe, si dhe ndryshimin kundër parashkrimit për rastet e korrupsionit politik.

"I bëjmë thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim të përkatësisë së tyre politike, etnike dhe ideologjike, urgjentisht, pa diskutim dhe pa vonesë, të votojnë për nevojën e ndryshimit të Kushtetutës dhe ndryhsimet e propozuara. Në këtë mënyrë, të gjithë dëshmojmë se në cilën anë jemi dhe  cili është përcaktimi ynë strategjik", tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

Ai shtoi se nëse në afat të shkurtër nuk sigurohet shumica e nevojshme për votimin e fazës së parë të ndryshimeve kushtetuese, do të jetë e qartë se kjo përbërje parlamentare nuk ka kapacitet për të zhbllokuar negociatat për integrim në BE.

"Nëse kjo rezulton si e saktë, nuk duhet të humbasim asnjë orë më shumë. Në atë rast, përderisa nuk ka shumicë të mjaftueshme të votohet faza e parë e ndryshimeve kushtetuese, ju ftojmë të votoni për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, që të kërkohet një përbërje tjetër parlamentare që do të ketë kapacitet dhe vullnet politik për të shtyrë proceset integruese drejt Bashkimit Evropian", tha Gashi.

I pyetur nga një gazetar se si do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, duke marrë parasysh se përbërja opozitare nuk ka mjaft deputetë për të votuar zgjedhjet e parakohshme, Gashi tha se kjo është çështje e Qeverisë, sepse pushteti, siç tha është për një orë ose një ditë më shumë për të qëndruar në pushtet dhe se për ta vetëm kjo është e rëndësishme dhe asgjë tjetër.

Lidhur me pyetjen se a do të formohet grup parlamentar nga deputetët  e këtyre tri partive politike, Gashi bëri të ditur se për këtë janë duke u zhvilluar bisedime dhe se kjo nuk përjashtohet si mundësi, por edhe se është çështje kohe se cili hap do të merret së pari. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR