Filipçe: Politika e jashtme nuk është improvizim
- Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe sot në konferencën për media deklaroi se votimi i fundit i rezolutës për Ukrainën në KB ka treguar qartë se politika e jashtme e Maqedonisë është pa busull, se vendimet merren në mënyrë impulsive dhe pa prioritete të politikës së jashtme.
- Post By Fami Bajrami
- 14:04, 26 shkurt, 2025

Shkup, 26 shkurt 2025 (MIA) - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe sot në konferencën për media deklaroi se votimi i fundit i rezolutës për Ukrainën në KB ka treguar qartë se politika e jashtme e Maqedonisë është pa busull, se vendimet merren në mënyrë impulsive dhe pa prioritete të politikës së jashtme.
"Me këto vendime kaotike dhe vërtetë të pakuptueshme, Maqedonia po dërgon porosi se politika e saj e jashtme është improvizim. Për më tepër, qeveria e thelloi konfuzionin me atë që pranoi të jetë bashkësponsor i rezolutës amerikane dhe më pas votuam të përmbajtur. Për herë të parë një qeveri e Maqedonisë që bashkësponsorizon rezolutën, më pas nuk e voton atë", tha Filipçe.
Ai vlerëson se për të dyja rezolutat në KB duhej të ishte votuar "pro" sepse ato nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën, por plotësojnë njëra-tjetrën.
Qeveria, sipas tij, po braktis kursin e Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të saj dhe me sjelljen e saj jokonsistente në politikën e jashtme, vepron si një “lojtar pa krye” në skenën ndërkombëtare.
"Derisa vendet më të mëdha evropiane taktikisht po balancojnë fuqitë globale, Maqedonia e Veriut me mospërputhjen e saj rrezikon të margjinalizohet nga qarqet politike evropiane", ka thënë Filipçe.
Dëshmi për këtë, siç tha ai, është votimi i përmbajtur i rezolutës evropiane për Ukrainën ku vendi jonë rreshtohet në shoqëri të papërshtatshme, së bashku me Ganën, Bangladeshin dhe Zambinë, ndërsa të gjithë vendet tona fqinje votuan "pro". - Çfarë kërkon Maqedonia e Veriut në këtë grup, pyeti lideri i partisë opozitare.
A jemi shtet evropian apo, shton Filipçe, duam të mbetemi në ndonjë izolim gjeopolitik? Sipas tij, me këto vendime kaotike dhe të pakuptueshme, Maqedonia e Veriut dërgon porosi se politika e saj e jashtme është improvizim.
"Në politikën globale ku çdo veprim ka peshë, kjo papërgjegjësi nuk mbetet pa u vërejt", ka thënë ai.
Kryetari i LSDM-së konsideron se është konfuz vendimi i Qeverisë që të bashkësponsorizojë rezolutën e propozuar nga SHBA dhe më pas të abstenojë.
"Veprimet e tilla të miratuara në bazë të vlerësimeve personale të kryeministrit Hristijan Mickoski, dëshmojnë se vendi nuk ka strategji dhe se politika e jashtme zhvillohet me improvizime", ka thënë Filipçe.
Filipçe thotë se nuk ka pasur komunikim me kryeministrin për t'u informuar për planet e Qeverisë, duke kërkuar sërish seancë të mbyllur parlamentare nëse ka informacione të ndjeshme në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Kryetari i LSDM-së, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se dje është kontaktuar nga disa ambasada të vendeve të BE-së të cilat kanë shprehur shqetësimin për këtë mënyrë të votimit nga Qeveria.
“Dje më kanë kontaktuar ambasadat nga disa shtete evropiane dhe ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë mënyrë të votimit nga Qeveria”, ka thënë Filipçe.
Shqetësim ka shprehur, siç tha ai, edhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajc.
“Ata treguan se është vërtet shqetësuese dhe eurodeputeti gjithashtu tha se edhe ai nuk e ka të qartë se cila ishte arsyeja për atë qëndrim”, tha Filipçe.
Ai përshëndeti thellimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, por kërkoi përgjigje nga Qeveria se cili është qëllimi i kësaj mbështetje për administratën e re amerikane, çfarë ka kërkuar qeveria dhe çfarë pret prej saj.
Partia opozitare ka ftuar dhe pyetur se cili është plani për politikën e jashtme dhe cilat janë hapat.
"Qeveria thotë se kemi mbështetje në pjesën e përmirësimit të pozicionit tonë në negociata, por nuk thotë se cila është ajo mbështetje dhe nga kush. Nuk tregojnë nëse këto takime dhe vizita të shpeshta në SHBA janë pikërisht në atë kontekst. Këtë duhet ta tregojnë, çdo mbështetje është vërtet e mirëpritur. Megjithatë, për fat të keq, nuk shohim asgjë konkrete në këtë moment. Duket si diçka konfuze dhe qeveria po sillet pa busullë. Bëhet fjalë për kahen strategjike të vendit që është për më shumë se tre dekada ajo që është. Me një partneritet të qartë strategjik si me vendet evropiane ashtu edhe me SHBA-në. çdoherë në aspektin e politikës së jashtme, strategjia jonë është ndërtuar gjithmonë në kuadër të partneritetit të ndërsjellë si me BE-në ashtu edhe me SHBA-në”, tha Filipçe.
Foto: MIA