Taravari del nga Qeveria
- Pas takimit të Aleancës për Shqiptarët, kryetari Arben Taravari sonte në një konferencë për shtyp deklaroi se ata po dalin nga koalicioni qeveritar dhe po shkojnë në opozitë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 21:45, 12 maj, 2025
Tetovë, 12 maj 2025 (MIA) - Pas takimit të Aleancës për Shqiptarët, kryetari Arben Taravari sonte në një konferencë për shtyp deklaroi se ata po dalin nga koalicioni qeveritar dhe po shkojnë në opozitë.
"Sot, Aleanca për Shqiptarët vendosi unanimisht të shkojë në opozitë. Ishte një takim i kryetarëve të degëve, i shumë funksionarëve të ASH-së, në të cilin konstatuam se vitin e kaluar me krenari e sollëm ndryshimin në bllokun shqiptar pas 20 vitesh, dhe jemi shumë krenarë për këtë. Megjithatë, për fat të keq nuk i realizuam ndryshimet që premtuam. Prandaj ne vendosëm të kthehemi te qytetarët. Të kërkojmë nga ata besim në tetor për zgjedhjet lokale", tha Taravari.
Sipas tij, ka pakënaqësi të madhe, veçanërisht tek shqiptarët, si qeveris VLEN-i në këtë qeveri, duke theksuar në ligjin për balancuesin, trajtimin e shqiptarëve në institucione, ndërsa për ata është shumë e rëndësishme rruga evropiane e Maqedonisë.
Taravari tha se ata tani janë në dorëheqje dhe do të largohen nga Qeveria sapo të zgjidhen anëtarët dhe zëvendësit e rinj në Qeveri.
Me BDI-në tani për tani, thotë Taravari nuk ka kurrfarë marrëveshje, por ka pasur njëfarë komunikimi. Taravari paralajmëroi se pavarësisht se do të kalojë në opozitë, do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski, por edhe me liderin e LSDM-së opozitare, Venko Filipçe.
Në takim nuk mori pjesë zëvendëskryeministri Arben Fetai, i cili sipas Taravarit ishte në udhëtim, ndërsa njëri nga deputetët duhej të shkonte te familja.
Foto: MIA