• e premte, 05 dhjetor 2025

Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Taravarit vendos nëse do të mbetet në Qeveri

Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Taravarit vendos nëse do të mbetet në Qeveri

 Tetovë, 12 maj 2025 (MIA) - Aleanca për Shqiptarët (ASH) e kryetarit Arben Taravari sonte në selinë qendrore në Tetovë mban takim me organet më të larta drejtuese të partisë. Kryesia qendrore dhe kryetarët e degëve, sipas njoftimeve të kreut të ASH-së, do të vendosin nëse do të largohen nga koalicioni qeveritar.

Para fillimit të takimit Taravari nuk dha deklaratë, ndërsa dje në hapjen e shtabit të partisë në Vrapçisht të Gostivarit, në një deklaratë për mediat theksoi se do të vendosin në ditët në vijim nëse do të vazhdojnë pjesëmarrjen në Qeveri. 

 Ai në Vrapçisht, tha se në koalicion "nuk kanë marrë mbështetje për ndryshimet që shqiptarët i kanë kërkuar dhe pritur".

"Qeveria disi humbi rrugën drejt BE-së. E shihni, gjendja në administratën shtetërore, ka një margjinalizim të jashtëzakonshëm dhe një tendencë që shqiptarët të margjinalizohen. Aleanca për Shqiptarët nesër pao pasnesër do të vendosin për dalje nga Qeveria. Kur të gjithë vrapojnë të hyjnë në Qeveri, ne jemi mësuar të dalim nga Qeveria. Dalim nga Qeveria për t'u rikthyer më të fortë, veçanërisht në qeverisjen lokale dhe më pas në qeverisjen qendrore", tha Taravari.

 Në të njëjtin takim udhëheqja qendrore e ASH-së së Taravarit më 15 prill vendosi që partia në zgjedhjet e ardhshme lokale të ofrojë listat e veta të kandidatëve për këshilltarë. Atëherë, Taravari më pas shpjegoi se ky vendim nuk do të kontribuojë për ndryshime, përkatësisht se mbeten si parti në kuadër të koalicionit "Vlen" dhe në përbërjen e Qeverisë.

 Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR