Filipçe paralajmëroi onlajn peticion lidhur me paralajmërimet për hyrje të mundshme të migrantëve në vend
- Onlajn peticion paralajmëroi sot lideri i LSDM-së Venko Filipçe lidhur me publikimin e një pjese të mediumeve britanike se është biseduar me autoritetet e Maqedonisë së Veriut për pranim të mundshëm të migrantëve në vend. Nëse tregohet se peticioni nuk mjafton, Filipçe paralajmëroi edhe hapa tjerë me qëllim që të pengohet hyrja eventuale e migrantëve në vend.
- Post By Besnik Shuki
- 13:29, 9 dhjetor, 2025
Shkup, 9 dhjetor 2025 (MIA) - Onlajn peticion paralajmëroi sot lideri i LSDM-së Venko Filipçe lidhur me publikimin e një pjese të mediumeve britanike se është biseduar me autoritetet e Maqedonisë së Veriut për pranim të mundshëm të migrantëve në vend. Nëse tregohet se peticioni nuk mjafton, Filipçe paralajmëroi edhe hapa tjerë me qëllim që të pengohet hyrja eventuale e migrantëve në vend.
"Pas onlajn peticionit, do të vijojnë edhe hapa tjerë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ndihmoni ta ruajmë atdheun tonë, sigurinë dhe ardhmërinë e Maqedonisë. Nëse pushteti e injoron këtë hap, do të vijojnë tjerë më të fuqishëm. Ne e kemi vendin në Bashkimin Evropian, e jo në periferi, si pikë e zezë. Do të vijojë mobilizim i fuqishëm, aktivitet në çdo nivel, në çdo komunë, në çdo qytet, në çdo fshat. Nuk do të lejojmë të vijnë migrantë këtu me asnjë çmim, nuk do të lejojmë në këtë mënyrë të rrezikohet siguria dhe ardhmëria e vendit, dëshirojmë zhvillim, të jemi pjesë e BE-së, nuk dëshirojmë të bëhemi Mekë që migrantë të vijnë këtu, të cilët shohim se si sillen në vendet tjera dhe çfarë probleme bëjnë, dhunë, protesta, përdhunime, sëmundje, të cilat moti janë çrrënjosur në të gjitha vendet", tha Filipçe.
Ai potencoi se LSDM-ja para disa muajve e ka paralajmëruar rrezikun se çka na pret me migrantët dhe negociatat e fshehta, bisedimet dhe marrëveshjet e Qeverisë së VMRO-DPMNE-së.
"Kur për herë të parë këto negociata të fshehta i kemi përmendur, e kjo u konfirmua në shkrimet në mediumet e huaja, menjëherë kërcyen kundër nesh patriotët e ashtuqujtur të VMRO-DPMNE-së. Filluan me publikime se ne gënjejmë dhe kanë shpifur fushatë kundër meje personalisht, kundër funksionarëve tjerë aktualë dhe të mëparshëm të partisë. Kur kjo u dështoi, gjatë periudhës së ardhshme, atë fushatë vetëm e përforcuan", tha Filipçe.
Ai deklaroi se është e palejueshme që qytetarët tanë në vend se nga Qeveria, informatat i kanë kuptuar nga meidat britanike, të cilat, siç tha, kanë dalë me informata të hollësishme për atë se çka u bisedua rreth çështjes për migrantët në Britani.
"Edhe nga këto shkrime të mediumeve britanike kuptojmë për bisedat që janë zhvilluar për migrantët, se duhet të integrohen, të jenë të pranishëm në tregun tonë të punës, posaçërisht në ndërtimtari dhe këtu të kenë vendbanime të përhershme. Madje ka edhe informata të hollësishme se Britania e Madhe do t'i paguajë Maqedonisë 20.000 funta për një migrant të deportuar, në pajtim me marrëveshjen e re për të a.q. qendra kthyese. Dhe tërë këtë paramendoni qytetarët tanë e kuptojnë nga mediumet e huaja", tha Filipçe.
Statistika evropiane, shtoi Filipçe, tregon se me politika të realizuara në mënyrë të keqe për integrimin e migrantëve, po ndodhin probleme të mëdha në shtetet dhe në shoqëritë, se me ta vjen edhe dhuna, krimi, trazirat, rahjet dhe edhe vendet më të zhvilluara, si Britania e Madhe, Gjermania, Suedia rëndë janë ballafaquar me ta.
Ai në konferencë për shtyp pyet edhe nëse, siç thotë, pas marrëveshjeve të fshehta të Qeverisë fshihet qëllimi që emigrantët të bëhen makineria e re votuese e VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e ardhshme dhe nëse ky është çmimi që duhet të paguhet për të marrë kredi prej gjashtë miliardë euro. bsh/
Foto: LSDM