• e enjte, 25 korrik 2024

FAO: Çdo i 11-ti banor i Tokës është i uritur

FAO: Çdo i 11-ti banor i Tokës është i uritur

Romë, 25 korrik 2024 (MIA) – Konfliktet ushtarake, paqëndrueshmëria ekonomike dhe kushtet gjithnjë e më të shpeshta të motit kanë kontribuar në mungesën e ushqimit, ndërsa 733 milionë njerëz në mbarë botën janë përballur me urinë vitin e kaluar, theksohet në studimin e fundit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO).

Përafërsisht 29 për qind e popullsisë globale është e detyruar të anashkalojë një vakt në ditë. Çdo i 11 banorë i Tokës përballet me problemin e urisë dhe më i theksuar është në vendet afrikane, ku çdo i pesti qytetar vuan nga uria.

Në dokumentin e FAO-s thuhet se mungesa kronike e ushqimit në botë mbetet një problem i madh dhe se parashikimi i Kombeve të Bashkuara se uria do të zhduket deri në vitin 2030 është nën një pikëpyetje të madhe.

"Jemi në një situatë më të keqe se nëntë vjet më parë, kur OKB-ja vendosi të zhdukë urinë në botë deri në fund të kësaj dekade. Nëse ky trend vazhdon, afërsisht 600 milionë njerëz do të jenë të kequshqyer kronikisht deri në fund të vitit 2030, gjysma e të cilëve do të jenë banorë të Afrikës", deklaroi një nga autorët e studimit, ekonomisti Dejvid Laborde.

Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar ushqimi i shëndetshëm ishte shumë i shtrenjtë për më shumë se një të tretën e banorëve të planetit tonë. Rreth 75,1 për qind e banorëve të vendeve të varfra nuk mund të lejonin ushqim cilësor, për krahasim nga situata në vendet më të pasura ku vetëm 6,3 për qind e qytetarëve nuk kishin mjetetë mjaftueshme për ushqyerje të shëndetshme.

"Sipas vlerësimeve të fundit, në nivel global do të nevojiten pothuajse katër trilionë dollarë investime për të zhdukur urinë deri në fund të dekadës dhe në vend të dërgesave të rastësishme urgjente me thasë me oriz dhe miell, me forca të bashkuara duhet të financohen prodhuesit e vegjël bujqësorë, të sigurohet energji e lirë për shumë pjesë rurale të botës dhe të mbështesin ekonomikisht ndërtimin e sistemeve të mëdha të ujitjes, veçanërisht në vendet më të varfra", tha Laborde.

Raporti i FAO-s do të prezantohet edhe në Samitin e G-20 të këtij viti, i cili do të mbahet më 18 nëntor në Brazil. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR