Dodik pas përpjekjes për arrestim: Në Republikën Srpska nuk do të zbatohen ligjet e BeH-së
- Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, pasi që agjentët e Agjencisë shtetërore për hetim dhe mbrojtje (SIPA) mbrëmë janë përpjekur ta arrestojnë në zyrën qeveritare të RS në Sarajvën Lindore, është kërcënuar se ligjet e BeH-së më nuk do të zbatohet në territorin e Republikës Srpska, njofton Hina.
- Post By Melahat Baftija
- 08:48, 24 prill, 2025

Sarajevë, 24 prill 2025 (MIA) - Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, pasi që agjentët e Agjencisë shtetërore për hetim dhe mbrojtje (SIPA) mbrëmë janë përpjekur ta arrestojnë në zyrën qeveritare të RS në Sarajvën Lindore, është kërcënuar se ligjet e BeH-së më nuk do të zbatohet në territorin e Republikës Srpska, njofton Hina.
Disa inspektorë të SIPA-s pa mbështetje nga policët e armatosur në uniformë, janë përpjekur të hyjnë në zyrën qeveritare të RS në Sarajevën Lindore që t'ia dorëzojnë Dodikut urdhrin për arrestim, por anëtarë të MPB-së të armatosur rëndë të RS e kanë parandaluar afrimin e tyre.
Zëdhënësja e SIPA-s, Jelena Miçoviq, konfirmon se bëhet fjalë për përpjekje të Dodikut që t'i dorëzohet urdhër nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës.
"Mund të konfirmoj se anëtarë të SIPA-s kanë qenë në qaendrën administrative të qeverisë së Republikës Srpska në Sarajevën Lindore, lidhur me veprimin pas urdhrit të Gjykatës së BeH-së lidhur me veprën penale moskryerje e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ata janë përpjekur që ta zbatojnë urdhrin, por janë parandaluar nga MPB e RS", deklaroi dje në mbrëmje Miovçeviq për portalin "Devni avaz".
Agjentët e SIPA-s janë tërhoqur, ndërsa dhe policia e RS-së e ka rritur sigurinë rreth ndërtesës në Sarajevën Lindore, ku Dodik u takua me udhëheqësit vendas. Në fund të takimit, Dodik u tha gazetarëve të pranishëm se nuk kishte frikë nga arrestimi dhe e quajti SIPA-n dhe Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës një forcë pushtuese që nuk do të lejohej të vepronte në territorin e Republikës Srpska.
Dodik e ka kërcënuar përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën, Kristian Shmidt, se tani do të shihte dikë të arrestuar për "prezantim të rremë". Ai tha se Shmidt po sillet "kriminalisht dhe fashistisht" dhe pretendoi se përfaqësuesi i lartë po përgatit një ligj mbi statusin e pronës shtetërore në BeH, në të cilin rast RS do të shpallë menjëherë shkëputjen nga BeH-ja.
"Ne do ta ndajmë dhe do ta mbrojmë pronën tonë", tha Dodik.
Ministri i Punëve të Brendshëm të RS-së, Sinisha Karan, u tha gazetarëve se oficerët e tij të policisë do ta mbronin Dodikun.
"Ministria e Punëve të Brendshme të RS ka kapacitet të mjaftueshëm për të mbrojtur të gjithë qytetarët e RS dhe mbajtësit e institucioneve më të rëndësishme", tha Karan. mb/
Foto: MIA