• e hënë, 10 mars 2025

Deklarata e Osmanit është në kundërshtim me vlerat demokratike evropiane, tha Mickoski

Deklarata e Osmanit është në kundërshtim me vlerat demokratike evropiane, tha Mickoski

Shkup, 5 mars 2025 (MIA) - Deklarata e nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, shkakton dëme të pariparueshme dhe është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë, e cila është në kundërshtim me vlerat demokratike, u përgjigj në pyetjet e gazetarëve kryeministri Hristijan Mickoski gjatë vizitës së sotme në terren në komunën e Ilindenit.

Ai e ka thënë këtë duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me deklaratat e Osmanit se do të kishte krizë politike nëse Ligji për përdorimin e gjuhëve do të shfuqizohej nga Gjykata Kushtetuese, por edhe se në një rast të tillë nuk do të kishte zgjedhje lokale.

Kryeministri në deklaratën e tij për media theksoi se ministri i Jashtëm Timço Mucunski ka biseduar me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare të cilët janë shprehur të zhgënjyer nga një deklaratë të tillë, e cila cenon postulatin e mosndërhyrjes në rendin juridik të një shteti sovran. Kryeministri i dërgoi edhe një mesazh personal BDI-së se “njeriu që negocioi dhe shiti identitetin tim maqedonas dhe gjuhën time maqedonase ka më së paku kredibilitet për të folur, sepse nëse nuk më respekton mua, nuk respekton as gjuhën e tij amtare shqipe”.

"Dëgjova, ra fjala, dje deklaratën e z. Bujar Osmanit në cilësinë e nënkryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim. Supozoj se është e koordinuar me kryetarin e BDI-së, sepse nëse nuk është e koordinuar, atëherë supozoj se kryetari e ka qortuar nënkryetarin e tij, sepse me atë deklaratë po i shkakton dëme të pariparueshme, me dy arsye. Baza e parë është ndërhyrja e drejtpërdrejtë në sistemin gjyqësor të një vendi, e cila është në kundërshtim me çdo demokraci të njohur për njerëzimin modern, ndërsa ende më pak me vlerat demokratike evropiane. Më duhet të them se sot në mëngjes kam biseduar me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, z. Timço Mucunski, i cili ka folur me të gjithë, do të thosha me një pjesë të madhe të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në vend, por edhe jashtë vendit. Disa prej tyre thanë se kanë biseduar personalisht me përfaqësues të BDI-së dhe se kjo u ka shkaktuar shumë emocione negative dhe zhgënjim të madh, sepse një nga postulatet themelore të demokracisë është mosndërhyrja në rendin juridik të një shteti sovran demokratik", tha kryeministri.

Për kryeministrin Mickoski, këto nuk mund të jenë kushtet dhe mënyra se si zhvillohen diskutimet, politika bëhet në një tryezë ku diskutohet dhe dihen kushtet demokratike që duhet të plotësohen gjatë një procesi zgjedhor. Ai ka dërguar edhe një mesazh personal për BDI-në.

"Njeriu që negocioi dhe shiti identitetin tim maqedonas dhe gjuhën time maqedonase ka më së paku kredibilitet për të folur sepse nëse nuk më respekton mua, nuk e respekton gjuhën e tij amtare shqipe", tha kryeministri.

Lidhur me deklaratën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryeministri tha se secili ka të drejtë të zgjedhë mënyrën e tij të funksionimit politik, por theksoi se shteti ka edhe institucione.

"Secili ka të drejtë të zgjedhë se si do të funksionojë politikisht, është zgjedhja e tij, shteti ka institucione, ka një qeveri në të cilën vepron partia politike BDI, ka funksionuar 20 vjet e gjysmë, ka shkelur të gjitha parimet, ka qenë shembull i standardeve të dyfishta. Në vitet e fundit të funksionimit të saj ka qenë shembull i dyshimeve të bazuara për krim dhe korrupsion dhe mendoj se ka një ndjenjë paniku dhe frike që shihet nga komentet e këtyre liderëve të BDI-së dhe publiku së shpejti do të jetë dëshmitar i asaj”, tha kryeministri. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR