Darkë e përbashkët e krerëve të diplomacisë së BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Luksemburg
- Në prag të mbledhjes së nesërme të Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së (FAC), sonte në Luksemburg do të mbahet darkë joformale e shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Bruksel, 13 prill 2025 (MIA) - Në prag të mbledhjes së nesërme të Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së (FAC), sonte në Luksemburg do të mbahet darkë joformale e shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Darka, nikoqir i së cilës është Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, do të ofrojë një mundësi për ministrat evropianë që të shkëmbejnë pikëpamjet me homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor mbi procesin e anëtarësimit dhe zhvillimet aktuale ndërkombëtare.
Përndryshe, Ballkani Perëndimor do të jetë një nga temat edhe në takimin e nesërm të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel. Krahas rajonit, në seancën e FAC-së do të diskutohet edhe për zhvillimet e fundit në lidhje me Ukrainën, situatën në Lindjen e Afërt, kryesisht në Siri, si dhe marrëdhëniet mes BE-së dhe Afrikës. Ministrat pritet gjithashtu të miratojnë qëndrimin e përbashkët të BE-së për kontrollin e eksportit të armëve.
Pas përfundimit të Këshillit, do të mbahet edhe Dialogu i parë i nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Autoritetit Palestinez, ndërsa pas saj edhe Konferenca e katërt ndërqeveritare e anëtarësimit BE-Shqipëri. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s