Arabia Saudite: Izraeli tregon ekstremizmin e tij duke ua ndaluar ministrave arabë hyrjen në Bregun Perëndimor
- Ministri saudit i Punëve të Jashtme, princi Fejsall bin Farhan Al-Saud, vlersoi se refuzimi i qeverisë izraelite për të lejuar një delegacion ministrash arabë të hyjnë në Bregun Perëndimor të pushtuar përfaqëson "ekstremizëm dhe refuzim të paqes".
- Post By Fami Bajrami
- 10:52, 2 qershor, 2025
Riad, 2 qershor 2025 (MIA) - Ministri saudit i Punëve të Jashtme, princi Fejsall bin Farhan Al-Saud, vlersoi se refuzimi i qeverisë izraelite për të lejuar një delegacion ministrash arabë të hyjnë në Bregun Perëndimor të pushtuar përfaqëson "ekstremizëm dhe refuzim të paqes".
Deklarata u bë në konferencën e përbashkët të djeshme për shtyp në Aman me homologët e tij nga Jordania, Egjipti dhe Bahreini, pasi që u takuan në kuadër të Grupit të kontaktit arab që planifikoi takim me presidentin palestinez Mahmud Abas në Ramallah.
"Refuzimi i Izraelit për të lejuar delegacionin të vizitojë Bregun Perëndimor është dëshmi e ekstremizmit të tij dhe e mungesës së gatishmërisë për të bërë përpjekje serioze për paqe. Kjo vetëm sa e forcon vendosmërinë tonë për të dyfishuar përpjekjet tona diplomatike në nivel ndërkombëtar për të trajtuar këtë arrogancë", deklaroi princi Fejsall.
Autoritetet izraelite të shtunën kumtuan se nuk do të lejonin mbajtjen e takimit të planifikuar, i cili ishte planifikuar për dje, ndërsa në të cilin do të merrnin pjesë ministra nga Jordania, Egjipti, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, informuan burime nga drejtoria palestineze.
Vizita e Princit Fejsall në Bregun Perëndimor do të ishte e para e këtij lloji nga një funksionar i lartë saudit kohët e fundit.
Një përfaqsues izraelit deklaroi se ministrat arabë planifikuan të merrnin pjesë në një "takim provokues" kushtuar temës së avancimit të idesë së krijimit të shtetit palestinez. rq/
Foto: arkivi i EPA-s