• e diel, 22 dhjetor 2024

Bullgaria në ndihmë: Si e shpëtoi fshehurazi Ukrainën vendi më i varfër në BE

Bullgaria në ndihmë: Si e shpëtoi fshehurazi Ukrainën vendi më i varfër në BE

1 shkurt 2023

(Politiko)

Sofja i ofroi Kievit karburant dhe armë specifike jetike sovjetike, por iu desh të mbante sekrete dërgesat për shkak të politikanëve pro-Moskë në qeveri.

Pranverën e kaluar, ushtrisë ukrainase i mungonin deri në dëshpërim karburantet dhe municionet e kalibrit sovjetik që i nevojiteshin për të luftuar rusët.

Shpëtimi erdhi nga një vend i papritur: Bullgaria.

Falë politikës së saj të brendshme të ndarë – dhe prirjeve pro-ruse të pjesës më të madhe të elitës së saj – Sofja u përpoq gjatë gjithë pushtimit për të theksuar se nuk po armatoste Ukrainën.

Megjithatë, kjo ishte një perde tymi, sipas një hetimi nga e përditshmja gjermane Uelt, botimi simotër e Politikos në grupin Aksel Springer. Falë intervistave ekskluzive me Ministrin e Jashtëm ukrainas Dimitro Kuleba, ish-kryeministrin bullgar Kiril Petkov dhe ministrin e tij të financave Asen Vasilev, Uelt ka hartuar pasqyën se si Bullgaria përdori ndërmjetësit për të siguruar Kievin me furnizime jetike me armë, municion dhe naftë në fazën kritike të luftimeve, vitin e kaluar.

Ndërsa Petkov, i cili ishte kryeministër i Bullgarisë në shpërthimin e luftës, u përpoq të tërhiqte vendin në një trajektore perëndimore pro-NATO-s, atij iu desh të përballej me reagimin e ashpër nga politikanët pro-Kremlinit, duke përfshirë midis partnerëve të tij të koalicionit, socialistët, të cilët janë pasardhës të Partisë së vjetër Komuniste. Por në publik, Petkov ka kërkuar të minimizojë çdo nocion se Bullgaria - pavarësisht nga rezervat e saj të konsiderueshme të armëve të epokës sovjetike - do të përforcojë dhe armatosë Ukrainën.

Nisur nga këto ndjeshmëri, qëndrimi zyrtar i Bullgarisë për luftën ka bërë që ajo të vendoset në të njëjtin shportë me Hungarinë e Viktor Orbanit - shumë e orientuar politikisht ndaj Moskës.

Por Petkov dhe Vasilev, tani politikanë opozitarë që kërkojnë një rrugë të kthimit në pushtet në zgjedhjet e ardhshme të pritshme, thyen heshtjen e tyre për shtrirjen e vërtetë të rolit të Bullgarisë pranverën e kaluar.

Ndërsa Partia Socialiste në Sofje i quajti dërgesat bullgare të armëve për forcat ukrainase një "vijë të kuqe", zyrtarët e Petkovit shmangën transaksionet ndërqeveritare dhe përdorën kompani ndërmjetëse në Bullgari dhe jashtë saj për të hapur rrugë ajrore dhe tokësore të furnizimit përmes Rumanisë, Hungarisë dhe Polonisë.

“Ne vlerësojmë se rreth një e treta e municioneve të nevojshme për ushtrinë ukrainase në fazat e hershme të luftës erdhi nga Bullgaria”, tha Petkov për Uelt.

Me po aq ndjeshmëri, nafta e furnizuar nga Bullgaria në Ukrainë përpunohej nga nafta bruto ruse në një rafineri në Detin e Zi, e cila në atë kohë i përkiste kompanisë ruse Lukoil. "Bullgaria u bë një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës në Ukrainë dhe ndonjëherë mbulonte 40 për qind të nevojave të saj," tha për Uelt ish-ministri i financave Vasilev.

Qeveria në Kiev konfirmoi këtë version të ngjarjeve. Kuleba për Uelt tha se vendi i tij rrezikonte të mbetej pa municione prillin e kaluar. “Ne e dinim që magazinat bullgare kishin një sasi të madhe të municioneve të nevojshme, kështu që presidenti [Volodimir] Zelenski më dërgoi për të marrë materialin e nevojshëm”, thotë Kuleba.

Në atë kohë bëhej fjalë për " o jetë, o vdekjen", shpjegon Kuleba, sepse përndryshe rusët do të kishin pushtuar shumë fshatra dhe qytete, do të kishin "vrarë, torturuar dhe dhunuar" më shumë ukrainas.

Përballë kërkesave të Kievit, sipas Kulebas, Petkovi u përgjigj se situata e tij e brendshme "nuk ishte e lehtë", por se ai do të bënte "çdo gjë që ishte në fuqinë e tij".

“Kiril Petkov tregoi integritet dhe unë do t'i jem gjithmonë mirënjohës që përdori të gjitha aftësitë e tij politike për të gjetur një zgjidhje”, vazhdoi Kuleba. Historia, tha ai, është e thjeshtë: deris disa anëtarë të koalicionit qeveritar bullgar u rreshtuan me Rusinë, Petkov vendosi "të ishte në anën e duhur të historisë dhe të na ndihmojë të mbrohemi kundër një armiku shumë më të fortë".

Plani i Petkovit

Më 25 shkurt, vetëm një ditë pas pushtimit të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, në një takim jozyrtar të Këshillit Evropian në Bruksel, Petkov u theksoi kolegëve të tij se Zelenski mund të ketë më pak se 48 orë jetë, se ai është në listën e pushkatimit të Moskës dhe se Këshilli duhet të marrë menjëherë vendime të rrepta për sanksionet. Komisioni Evropian përfundimisht i mbështeti këto lëvizje.

Në të njëjtën kohë, ministri i Financave Vasilev mori pjesë në takimin e ministrave të financave të BE-së në Paris. Dhe aty kishte pavendosmëri, siç e përshkroi ai. Të gjithë ishin ende të tronditur nga sulmi. Pastaj Vasilev mbajti një fjalim. Jo për shifrat dhe pasojat ekonomike, por për atë se çfarë donte të thoshte Putin me "denazifikimin e Ukrainës". Ai u bazua në përvojat e tij në Bullgari.

“Kështu bënë rusët në Bullgari pas Luftës së Dytë Botërore, ata vranë mijëra disidentë, profesorë dhe priftërinj”, tha Vasilev. Ai gjithashtu bëri thirrje për zgjidhje të menjëhershme dhe pjesëmarrësit në takim konfirmuan për Welt se ministri bullgar ndryshoi disponimin e të pranishmëve.

Dy ditë më vonë, Brukseli i zbatoi ato masa. Në qarqet e BE-së ata u cilësuan si "propozimi bullgar".

Më 19 prill, pak para vizitës së Petkovit në Kiev, ministri i Jashtëm ukrainas Kuleba udhëtoi për në Sofje, pasi filloi një fazë e re dhe e pasigurt e luftës. Ukrainasit i dëbuan pushtuesit nga rajoni i madh i Kievit dhe nga veriu, por shumë armë perëndimore ende nuk u dorëzuan. Luftimet ishin aq intensive, thotë Kuleba sot, sa Ukraina kishte nevojë urgjente për të rimbushur furnizimet e saj, veçanërisht municionet e prodhimit sovjetik.

Zelenski besonte se Kuleba mund ta siguronte këtë në misionin e tij në Sofje.

Petkov thotë tani që qeveria e tij ka autorizuar ndërmjetësit të eksportojnë, jo drejtpërdrejt në Ukrainë, por në kompani ndërmjetëse jashtë vendit.

“Industria jonë ushtarake po prodhonte me kapacitet të plotë”, tha Petkov. Pamjet nga prilli tregojnë aeroplanë "të ngarkuar deri në buzë" me armë që fluturojnë midis Bullgarisë dhe Polonisë. Ajo që dihet është se aeroporti Zheshov i Polonisë, 70 kilometra nga kufiri ukrainas dhe i ruajtur rreptësisht nga NATO, është pika kryesore e dërgesës. "Ne gjithashtu u siguruam që rruga tokësore përmes Rumanisë dhe Hungarisë të jetë e hapur për kamionët," tha Petkov.

Kuleba i konfirmoi ato dërgesa. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për dhënien direkte të ndihmës ushtarake nga qeveria bullgare për Ukrainën, "por për t'u dhënë kompanive ukrainase dhe kompanive nga vendet e NATO-s mundësinë për të marrë atë që u nevojitet nga shitësit bullgarë".

Sipas informacionit të dhënë për Uelt, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë paguar për dërgesat.

Në qershor situate ishte tepër e komplikuar, kur kreut të kompanisë shtetërore të eksportit ushtarak Kintek, Aleksandar Mihailov, iu desh të jepte dorëheqjen pas një grindjeje politike dhe doli publikisht me shifra - me sa duket për të tronditur qeverinë. Mihailov foli për eksporte me vlerë "dy miliardë euro" që nga fillimi i luftës. Ai përmendi edhe dërgesat e municioneve për raketat e shumta Grad BM-21.

Por më pas gjërat u qetësuan përsëri. Partia Socialiste në Qeveri kërcënoi vazhdimisht se do të prishte koalicionin nëse do të kishte ndonjë mbështetje të drejtpërdrejtë për Kievin - por nuk mundi, sepse një mbështetje e tillë zyrtarisht nuk ekzistonte.

Bizneset me naftë

Duke fluturuar edhe më larg radarit, Bullgaria dërgoi edhe naftë për forcat e Zelenskit.

Vasilev kujton mbledhjen e Bankës Botërore në Uashington në pranverën e vitit të kaluar. Atje, tha ai, një zyrtar ukrainas i tha atij se trupave të Kievit po i mbaronin karburantet. Bullgaria ka një rafineri pranë Burgasit në Detin e Zi, e cila operohet nga një filial i grupit rus Lukoil dhe furnizohet me cisterna nafte nga Rusia.

Vasilev tha se ai inkurajoi Lukoilin në Bullgari të eksportojë tepricën e naftës në Ukrainë. Reagimi ishte pozitiv dhe punonjësit atje e dënonin gjithashtu luftën e Putinit, tha ai. Vetë Bullgaria ka nevojë për rreth gjysmën e karburantit të prodhuar nga rafineria; pjesa tjetër, thotë ai, dërgohet në Ukrainë. Sërish, blerjet nga kompanitë vendase janë bërë përmes kompanive të huaja ndërmjetësuese.

Kievi konfirmoi për Uelt se kompanitë ukrainase morën naftë bullgare në këtë fazë shumë të rëndësishme.

"Kamionët dhe cisternat shkonin rregullisht në Ukrainë nëpërmjet Rumanisë dhe në disa raste karburanti ngarkohej edhe në trenat e mallrave," tha Vasilev.

Moska kundërpërgjigjet

Me linjat sekrete të furnizimit me Ukrainën, Petkov po merrte një rrezik të madh.

Sondazhet në Bullgari kanë treguar se 70 për qind e qytetarëve janë të shqetësuar për përfshirjen në luftë dhe për këtë arsye kundërshtojnë shumë mbështetjen për Ukrainën. Presidenti Rumen Radev, i emëruar nga Partia Socialiste, nxiti këtë ndjenjë, duke argumentuar se Bullgaria do të bëhej palë në luftë nëse do të bëjë furnizimin me armë.

Loja e kukafshehtit ka mbaruar vetëm para pak kohe. Që nga fillimi i vitit, rafineria Lukoil në Burgas kontrollohet plotësisht nga Bullgaria, pa asnjë lidhje me selinë në Rusi dhe tani është në kërkim të naftës nga vende të tjera. Në nëntor, qeveria në Sofje i kërkoi zyrtarisht Komisionit të BE-së leje për të eksportuar naftë të rafinuar nga nafta ruse në destinacione, përfshirë edhe Ukrainën.

Kremlinit nuk i ka shpëtuar që Bullgaria, nën udhëheqjen e Petkovit dhe Vasilevit, po bën përpjekje të mëdha në emër të Ukrainës.

Duke filluar nga maji, Moska "bombardoi" vendin e tij me sulme kibernetike, tha Petkov. Ata synonin furnizimin me energji elektrike dhe zyrat postare dhe nganjëherë pensionet nuk mund të paguheshin.

Moska gjithashtu u përpoq të korruptonte deputetët dhe të depërtonte në autoritetet shtetërore. Midis marsit dhe qershorit, Bullgaria dëboi rreth 70 punonjës nga ambasada ruse në Sofje për spiunazh.

Moska e dinte se Bullgaria ishte vendi i BE-së më i varur nga gazi rus përpara luftës dhe vendosi të përfitonte nga kjo.

Tashmë më 27 prill, Gazprom zgjodhi Bullgarinë si vendin e parë të BE-së që ndaloi eksportet e gazit. Por Sofia nuk u dorëzua. Brenda 24 orëve, kryeministri Petkov paraqiti një aktvendim që do të lejonte gati 7 milionë bullgarë të jetojnë pa gaz nga Rusia. Ai organizoi dy cisterna me gaz natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara - me të njëjtin çmim për metër kub siç paguante Gazpromi.

Petkov tani shpjegon pse SHBA-të ishin gati të pajtoheshin me të.

“Kam thënë qartë në bisedime se cisternat janë një sinjal politik për të gjithë Evropën se ka gjithmonë mënyra për të dalë nga varësia nga Rusia. Gjithasht përfundoi gazsjellësi me Greqinë si një alternativë ndaj linjave ruse të furnizimit.

Qeveria e Petkovit u rrëzua me votë mosbesimi në Parlament gjatë verës. Edhe forcat proruse kishin pjesën e tyre në këtë. Petkov dhe Vasilev qëndruan përkohësisht në detyrë deri në vjeshtë. Që atëherë, vendi ka ngecur në një qorrsokak politik, por qëndrimi ndaj Ukrainës ka filluar të ndryshojë pak.

Në dhjetor, Parlamenti vendosi të lejojë zyrtarisht dërgimin e armëve në Ukrainë. "Ne i jemi thellësisht mirënjohës Bullgarisë për këtë," thotë Kuleba duke shtuar se “është e pabesueshme se sa me këmbëngulje po përpiqen këto forca ta tërheqin Bullgarinë në anën e agresorit dhe kasapit”.

Petkov dhe Vasilev tashmë kanë bërë histori me ndihmën e tyre të fshehtë. Me partinë e tyre “Vazhdoj ndryshimet”, ata duan të kandidojnë sërish në zgjedhjet e ardhshme dhe të vazhdojnë luftën e tyre për një Bullgari që do të merret me korrupsionin e rendit të vjetër dhe do të pranojë një rrugë më perëndimore.

Petkov këmbëngul se vetëm një gjë është e pakthyeshme: "Ne kemi treguar se bota mund të funksionojë edhe pa varësinë dhe frikën nga Rusia".

 

QËNDRONI TË LIDHUR