• e shtunë, 27 prill 2024

Borrell dhe Lenarçiç: Nevojitet një armëpushim urgjent në Gaza, Izraeli ka detyrimin të lejojë aksesin e ndihmës humanitare

Borrell dhe Lenarçiç: Nevojitet një armëpushim urgjent në Gaza, Izraeli ka detyrimin të lejojë aksesin e ndihmës humanitare

Bruksel, 18 prill 2024 (MIA) - Pas sulmeve iraniane ndaj Izraelit, është thelbësore të shmanget çdo përshkallëzimi i mëtejshëm i tensioneve në Lindjen e Mesme, prandaj po bëjmë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza në përputhje me Rezolutën 2728 të Këshillit të Sigurimit të KB-së, citohet në deklaratën e përbashkët me shkrim të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borrell dhe eurokomisarit për menaxhimin e krizave, Janez Lenarçiç.

"Kërkojmë një rritje të menjëhershme dhe të pakufizuar të fluksit të ndihmës humanitare në Gaza, në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i kësaj krize humanitare dhe rezultati katastrofik, i parashikueshëm dhe i mundshëm për popullatën vendase", thuhet në deklaratë.

Borrell dhe Lenarçiç theksojnë gjithashtu se Komisioni Evropian vuri në dukje angazhimin e Izraelit për të hapur pika të reja aksesi për shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gaza, duke përfshirë portin e Ashdod dhe kalimin Erec, si një rritje në dërgimin e ndihmave nga Jordania, por që nevojiten veprime të dukshme si prioritet në atë drejtim.

Më tej në tekst thuhet se që nga 7 tetori, "vetëm një pjesë e ushqimit minimal të nevojshëm" ka mbërritur në Gaza, gjë që ka kontribuar ndjeshëm në shfaqjen e urisë dhe mungesës akute të ushqimit.

Sipas Borrellit dhe Lenarçiç, detyrime të tilla të Izraelit nënkuptojnë se komuniteti humanitar do të ketë akses të papenguar dhe të sigurt te popullata, kryesisht nga toka, për t'i ndihmuar ata me mjetet e duhura.

Ata theksojnë më tej se paqëndrueshmëria në Gaza, së bashku me sulmet ndaj punonjësve humanitar dhe personelit mjekësor, kontribuojnë në zvogëlimin e hapësirës humanitare.

Borrell dhe Lenarçiç i bënë thirrje gjithashtu Izraelit të adresojë përshkallëzimin e shpejtë të dhunës në Bregun Perëndimor, duke dënuar fuqishëm dhunën e ushtruar nga ekstremistët hebrenj kolonë dhe duke bërë thirrje që të gjithë autorët të mbahen përgjegjës.

"Nevojitet veprim urgjent për të de-përshkallëzuar situatën dhe për t'i dhënë fund ciklit të gjakderdhjes dhe hakmarrjes, përfundojnë Borrell dhe Lenarçiç në deklaratën me shkrim. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR