• e mërkurë, 26 qershor 2024

Borel: Zgjedhjet në Rusi u mbajtën nën presion të shtuar dhe qasje të kufizuar deri te informacioni

Borel: Zgjedhjet në Rusi u mbajtën nën presion të shtuar dhe qasje të kufizuar deri te informacioni

Bruksel, 18 mars 2024 (MIA) - Zgjedhjet presidenciale të organizuara nga Rusia nga 15 deri më 17 mars u mbajtën në një ambient shumë kufizues, të përkeqësuar edhe nga agresioni ilegal kundër Ukrainës, ku autoritetet ruse vazhduan të rrisin represionin e brendshëm sistematik duke shtypur kësisoj politikanët opozitarë, organizatat civile, mediat e pavarura dhe zërat e tjerë kritikë që përdorin legjislacion represiv dhe dënime me burgim të motivuar politikisht, thekson përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri pranë BE-së, Zhosep Borel në një deklaratë me shkrim lidhur me zgjedhjet presidenciale në Rusi.

"Vdekja shokuese e politikanit opozitar Aleksej Navalni në prag të zgjedhjeve është një tjetër sinjal i represionit sistematik. Zgjedhjet u zhvilluan në një hapësirë ​​politike që gjithnjë e më shumë tkurret, rezultoi madje me një rritje alarmante të shkeljeve të të drejtave civile dhe politike dhe pengoi shumë kandidatë që të kandidohen, duke përfshirë të gjithë ata që kundërshtonin luftën e paligjshme të agresionit të Rusisë, privoi votuesit rusë nga zgjedhja reale dhe kufizoi qasjen e tyre ndaj informacionit të saktë. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë punën e rëndësishme të organizatave të shoqërisë civile ruse, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe mediat e pavarura", thotë Borel.

Ai më tej theksoi se BE-ja shpreh keqardhje për vendimin e autoriteteve ruse për të mos ftuar vëzhgues të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR, i cili, sipas tij, është në kundërshtim me detyrimet ruse ndaj Organizatës dhe u mohoi votuesve dhe institucioneve ruse një vlerësim të paanshëm dhe të pavarur në këto zgjedhje.

"Për më tepër, Bashkimi Evropian dënon fuqishëm mbajtjen e paligjshme të të ashtuquajturave 'zgjedhje' në territoret e Ukrainës të cilat Rusia përkohësisht i ka okupuar: Republika Autonome e Krimesë dhe qyteti i Sevastopolit, si dhe pjesë të rajoneve të Donjeckut, Luhanskut, Zaporozhjes dhe Hersonit. Të ashtuquajturat 'zgjedhje' në këto territore paraqesin një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare nga Rusia, duke përfshirë Kartën e KB-së, si dhe pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës’", tha Boreli.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së thekson gjithashtu se Unioni fton Rusinë të respektojë kufijtë dhe sovranitetin e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës, të konfirmuara nga dy rezolutat e KB-së të datës 12 tetor 2022 dhe 27 mars 2014.

"Bashkimi Evropian rithekson se nuk njeh dhe nuk do ta njohë kurrë mbajtjen e të ashtuquajturave 'zgjedhje' në territoret e Ukrainës, as rezultatet e tyre. Ato janë të pavlefshme dhe nuk mund të prodhojnë asnjë efekt juridik. Udhëheqësia politike e Rusisë dhe ata që janë të përfshirë në organizimin e tyre do të përballen me pasojat e këtyre veprimeve të paligjshme", thekson Boreli.

Ai gjithashtu thekson se BE-ja përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

"Rusia duhet ta ndërpresë agresionin e saj ilegal kundër Ukrainës dhe menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të tërheq forcat dhe pajisjet e saj të armatosura nga i gjithë territori ukrainas", shton Boreli në deklaratën me shkrim me rastin e zgjedhjeve presidenciale në Rusi.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR