• e premte, 20 dhjetor 2024

BE-ja bën thirrje për respektim të plotë të marrëveshjes për armëpushim midis Izraelit dhe Libanit

BE-ja bën thirrje për respektim të plotë të marrëveshjes për armëpushim midis Izraelit dhe Libanit

Bruksel, 29 nëntor 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian ka përshëndetur shpalljen e marrëveshjes për armëpushim midis Izraelit dhe Libanit, si dhe përpjekjet e Francës dhe SHBA-së që çuan në arritjen e saj, potencoi Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri Zhosep Borel në një deklaratë me shkrim dërguar në emër të BE-së.

"Kjo është një arritje e rëndësishme në të cilën BE-ja dhe vendet anëtare të saj e kanë kërkuar vazhdimisht këtë vit. Tani është thelbësore që armëpushimi të respektohet siç është rënë dakord, që siguria e njerëzve si në Liban ashtu edhe në Izrael të garantohet dhe personat e zhvendosur brenda vendit në të dy anët e kufirit të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre", theksoi Borel.

Ai potencoi se realizimi i këtyre angazhimeve kërkon mbi të gjitha, angazhimin e të dyja palëve në drejtim të respektimit të plotë të sovranitetit të Libanit dhe Izraelit dhe ndërprerjen e të gjitha sulmeve ndërkufitare.

"BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve rajonal dhe ndërkombëtar që të përfshihen aktivisht në mbështetjen e armëpushimit në mënyrë që ajo të ketë një kontribut të përhershëm për paqen dhe stabilitetin rajonal. BE-ja dhe vendet anëtare të saj janë të përkushtuara për të mobilizuar një gamë të gjerë instrumentesh, duke përfshirë dhe Fondin evropian të paqes dhe për të mbështetur Forcat e armatosura libaneze dhe UNIFIL, nëpërmjet zbatimit efektiv dhe të plotë në praktikë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të KB-së", shtohet në deklaratë.

Borel thekson se BE-ja do të vazhdojë të japë ndihma humanitare dhe do të përfshihet në procesin e rimëkëmbjes dhe rindërtimit pas konfliktit në Liban në mënyrë që të mbështesë popullin libanez të prekur nga konflikti duke përfshirë dhe numrin e madh të personave të zhvendosur brenda vendit.

Sipas Borelit, BE-ja është veçanërisht e vendosur të mbështesë forcimin e mëtejshëm të sovranitetit dhe institucioneve të shtetit libanez.

"Liderët politikë të Libanit kanë një mundësi dhe një përgjegjësi të madhe për të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe për të gjetur rrugëdalje nga ngërçi politik dhe ekonomik në mënyrë që të gjithë libanezët të ndajnë të njëjtën të ardhme si pjesë e një Libanit të përbashkët, paqësor dhe të begatë", deklaron Boreli duke u bërë apel liderëve politikë që të zgjedhin urgjentisht një president të shtetit, pozitë e cila ka mbetur e zbrazët prej dy vitesh dhe të bëjnë përpjekje për të ndërtuar një shtet të fortë dhe sovran libanez. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR