• e martë, 02 korrik 2024

Bajden: Askush nuk është mbi ligjin, madje as presidenti i SHBA-së

Bajden: Askush nuk është mbi ligjin, madje as presidenti i SHBA-së

Uashington, 2 korrik 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden, pas vendimit të Gjykatës Supreme amerikane me të cilin Donald Trampit dhe presidentëve tjerë u dha imunitet të gjerë nga ndjekja penale, tha se vendimi minon sundimin e ligjit.

Vendimi gjyqësor e bën pothuajse të sigurt se Trampi nuk do të përballet me gjykim në Uashington para zgjedhjeve të nëntorit, në të cilat ai është kandidati presidencial republikan, për procedurat e tij gjatë trazirave të dhunshme më 6 janar të vitit 2021, citon Zëri i Amerikës.

"Askush nuk është mbi ligjin, madje as presidenti i SHBA-së", tha Bajden në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë fjalimit të shkurtër, Bajden nuk e përmendi debatin e javës së kaluar ose qasjen e tij dhe nuk u përgjigj në pyetjen. "E di që do të respektoj kufijtë e fuqisë presidenciale siç kam vendosur gjatë tre vite e gjysmë të fundit, por çdo president, duke përfshirë edhe Donald Trampin, tani do të mundet lirshëm ta injorojë ligjin", tha Bajden.

Dje, Gjykata Supreme e SHBA-së mori një vendim historik për rastin e Donald Trampit, i cili kërkoi nga ajo gjykatë të vendosë nëse ai si ish president ka imunitet nga ndjekja penale. Me 6 vota konservatore "për" dhe 3 vota liberale "kundër", gjykata më e lartë e Amerikës vendosi se ish presidentët kanë imunitet absolut nga ndjekja penale për aktet e kryera gjatë kohës që ishin në detyrë, ndërsa nuk kanë imunitet për aktet e kryera jashtë detyrës. Gjykata Supreme e SHBA-së nuk ka vendosur vetë se si ta zbatojë atë në mënyrë specifike në rastin e Trampit, dhe gjykatësi kryesor Xhon Roberts tha se do të jetë në dorën e gjykatave më të ulëta për të vendosur. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR