• e premte, 24 janar 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Anketë: Bota, përveç Perëndimit, nuk është shumë e shqetësuar për kthimin e Trampit

Anketë: Bota, përveç Perëndimit, nuk është shumë e shqetësuar për kthimin e Trampit

Berlin, 15 janar 2025 (MIA) – Kthimi i Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë në përgjithësi konsiderohet si punë e mirë në botë, por jo edhe në vendet perëndimore, aleatët e SHBA-së, tregon hulumtimi i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR). 

Nga India deri në Kinë, nëpërmjet Turqisë dhe Brazilit, shumica e njerëzve besojnë se kthimi i Trampit, i cili e merr funksionin të hënën, do të jetë pozitiv për paqen botërore, për vendet e tyre dhe për shumicën e qytetarëve amerikanë. Ky trend është veçanërisht i shprehur në Indi, ku ashtu mendojnë 82 për qind e të anketuarve. 

Diskursi i Trampit i drejtuar drejt paqes në lidhje me Ukrainën dhe Lindjen e Mesme jehoi në mbarë botën, sipas autorëve të studimit, të zbatuar bashkë me universitetin britanik në Oksford. 

Këtë ndjesi nuk e ndajnë disa nga aleatët më të afërt të Uashingtonit – Britania e Madhe, BE-ja, Koreja e Jugut, thuhet në studimin e ECFR. 

Në Bashkimin Evropian, në bazë të rezultatit mesatar nga 11 vendet e anketuara të BE-së, vetëm 22 për qind e qytetarëve besojnë se kthimi i Trampit do të jetë punë e mirë për vendin e tyre, ndërsa 29 për qind e të anketuarve vlerësojnë se kjo do të jetë mirë për paqen botërore. 

Në Britani të Madhe, kujdesi ndaj presidentit të ardhshëm të SHBA-së është më i madh, ndërsa 50 për qind e të anketuarve kanë kryesisht qëndrim negativ ndaj tij. 

Megjithatë, siç vlerëson një nga autorët e studimit, Mark Leonard, në vend që të bëjnë përpjekje ta kryesojnë rezistencën globale ndaj Trampit, evropianët duhet të marrin përgjegjësi për mbrojtje të interesave të tyre dhe të gjejnë mënyrë të krijojnë aleanca të reja në një botë e cila u bë transaksionale.

Në Ukrainë, e cila është në luftë me Rusinë, të anketuarit janë kryesisht të kujdesshëm – 26 për qind besojnë se kthimi në funksion i miliarderit amerikan do të jetë gjë e mirë për punën e tyre, por 55 për qind nuk u deklaruan. 

Evropianët do të kenë vështirësi të gjejnë unitetin e brendshëm ose forcën globale në udhëheqjen e rezistencës së hapur ndaj administratës së re amerikane, thotë ECFR në rezymenë e konkluzioneve të saj, duke shtuar se hulumtimi tregon se shumë persona në botë e shohin BE-në si lojtare të njëjtë të SHBA-së dhe Kinës, fuqi prej të cilët liderët evropianë duhet të kenë kujdes derisa hyjnë në mandat të ri turbulent presidencial. 

Në vend që vazhdimisht të shohin prapa dhe të flasin për rendin liberal pas Luftës së Ftohtë, Evropianët duhet të përqendrohen në mirëkuptim dhe  perceptim të mundësive në botën e re, shkruan ECFR.

Hulumtimi është zbatuar në nëntor të vitit 2024, menjëherë pas zgjedhjes së Trampit për president të ardhshëm të SHBA-së, në mostrën e 28.549 njerëzve, në 24 vende, prej të cilave 16 evropiane (Bullgaria, Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Hungaria, Spanja, Italia, Polonia, Rumania, Portugalia, Britania e Madhe, Ukraina, Rusia, Zvicra, Turqia) dhe tetë jashtë Evropës (India, Brazili, Indonezia, Kina, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut dhe SHBA-ja). fc/

Fotografia: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR