RCC: Nominimet për gratë sipërmarrëse të vitit 2024 në rajon janë të hapura
- Për të katërtin vit radhazi, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) njofton se nominimet për Gratë sipërmarrëse të vitit 2024 në Ballkanin Perëndimor janë zyrtarisht të hapura. Gjashtë gra sipërmarrëse të tjera nga rajoni do të nderohen për suksesin e tyre në biznes.
- Post By Fami Bajrami
- 17:40, 23 janar, 2025
Tiranë, 23 janar 2025 (MIA) - Për të katërtin vit radhazi, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) njofton se nominimet për Gratë sipërmarrëse të vitit 2024 në Ballkanin Perëndimor janë zyrtarisht të hapura. Gjashtë gra sipërmarrëse të tjera nga rajoni do të nderohen për suksesin e tyre në biznes.
Individë, përfaqësues të institucioneve publike dhe private, organizata dhe palë të tjera të interesuara janë të ftuar të nominojnë gra të shquara sipërmarrëse në një ose më shumë nga gjashtë kategoritë e mëposhtme: sipërmarrëse e gelbër, sipërmarrëse artistike, sipërmarrëse në ICT, sipërmarrëse e re, sipërmarrëse në turizëm, Ylli social (sipërmarrëse).
Nominimet do të jenë të hapura deri më 21 shkurt 2025. Pas një procesi të kujdesshëm përzgjedhjeje nga anëtarët e jurisë, fitueset do të ftohen të marrin pjesë në ceremoninë përfundimtare.
Për t’u kualifikuar, të nominuarat duhet të jenë shtetase të një prej ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe të kenë një biznes të regjistruar deri më 31 janar 2024.
Formulari i nominimit, së bashku me informacione të detajuara mbi kërkesat, kategoritë dhe procesin e përzgjedhjes, mund të gjenden në faqen e RCC-së.
Gratë sipërmarrëse fituese do të bëhen pjesë e Rrjetit rajonal të grave në sipërmarrje dhe do të kenë mundësi për promovim, pjesëmarrje në aktivitete të rëndësishme rajonale dhe mentorim sipas kërkesës përmes një platforme të dedikuar për mentorim digjital.
Iniciativa Gratë sipërmarrëse të vitit në Ballkanin Perëndimor u lansua në vitin 2022 për të promovuar gratë që kanë themeluar dhe zhvilluar me sukses bizneset e tyre, duke kontribuar në krijimin e vendeve të reja të punës dhe të qëndrueshme në rajon. Në tre edicionet e mëparshme, 18 gra të jashtëzakonshme sipërmarrëse kanë fituar këtë titull prestigjioz. Për më tepër vitin e kaluar, gjashtë gra të jashtëzakonshme u nderuan me një çmim të veçantë nga juria për kontributet e tyre unike.
Ky vlerësim organizohet si pjesë e Planit të veprimit të tregut të përbashkët rajonal 2025–2028 dhe Agjendës së RCC-së për fuqizimin ekonomik të grave që financohet nga Bashkimi Evropian (BE).
Për më shumë informacion mbi fitueset e mëparshme vizitoni Këshillin për bshkëpunim rajonal – Gratë sipërmarrëse të vitit në Ballkanin Perëndimor.