• e premte, 12 korrik 2024

Alarm portokalli, temperatura edhe mbi 40 gradë, në Shkup numër i rritur i alivanosjeve në vende publike

Alarm portokalli, temperatura edhe mbi 40 gradë, në Shkup numër i rritur i alivanosjeve në vende publike

Shkup, 11 korrik 2024 (MIA) - Vazhdon periudha e motit me diell dhe shumë të nxehtë me temperatura ditore të cilat në disa vende tejkalojnë edhe 40 gradë.

Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike paralajmëruan se prej sot e deri në mes të javës së ardhshme në disa vende do të aktivizohet niveli portokalli për rrezik nga temperatura të larta. Përjashtim do të ketë të dielën, kur, sipas sinoptikanëve, në orët e pasdites do të ketë paraqitje të izoluar të paqëndrueshmërisë me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima.

Mjeku Riad Rexhepi, shef i ndërrimit në Ndihmën Mjekësore Urgjente në Shkup për MIA-n deklaroi se për shkak të motit të nxehtë këto ditë është rritur numri i intervenimeve gjatë alivanosjeve në vende publike. 

"Alivanosen edhe qytetarë të rinj dhe më të moshuar. Brenda ditës kemi raportime për rreth dhjetëra alivanosje. Qoftë në autobus, ose në vendin e punës... Kemi edhe rritje të thirrjeve nga persona të cilët kërkojnë këshilla me telefon", tha Rexhepi.

Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Privatë, Lilija Çollakova Dervishova në një deklaratë për MIA-n informoi se për shkak të motit të nxehtë, këto ditë vetëm në ordinancën e saj ishin dërguar dy persona me infarkt. 

"Vërehet se njerëzit kanë probleme, sidomos ata me sëmundje kronike. Apelet tona janë që ata të mos lëvizin në vapë, të mbarojnë të gjitha detyrat në orët e para të mëngjesit. Rekomandojmë ushqim shumë të lehtë, për të shmangur ngrënien në sasi të mëdha gjatë orëve të nxehta. Qytetarët duhet të pinë shumë lëngje gjatë ditës", thotë Çollakova Dervishova.

Nga Instituti i Shëndetit Publik rekomandojnë që qytetarët në këto temperatura ekstreme të larta këto ditë me vete të mbajnë shishe me ujë, të veshin rroba të lehta, të ndritshme dhe komode, të bëjnë dush me ujë më të freskët dhe të vakët kur ndjejnë se kanë nxehtë, të mbajnë kapelë ose ombrellë për mbrojtje, të flejnë mjaftueshëm, të hajnë pemë dhe sallata, të shmangen alkooli, kafeja, çaji, si dhe ushqimi i nxehtë, me melmesa dhe me kryp për shkak të rrezikut nga dehidrimi. 

Kompetentët këshillojnë që aktivitetet në vende të hapura të realizohen para orës 11 dhe pas orës 17. Gjatë qëndrimit në vende të hapura, të qëndrojnë në hije. Nëse qëndrohet në hapësira të mbyllura të kondicionuara, është e rekomandueshme që të ndalet kondicioneri të paktën gjysmë ore para se të dilet jashtë në vend të nxehtë. Kjo, me qëllim që njeriu më lehtë të përshtatet në dallimet e temperaturave. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR