• e martë, 24 dhjetor 2024

Ahmeti në takim me Rokas: Bashkimi Europian është alternativa jonë e vetme 

Ahmeti në takim me Rokas: Bashkimi Europian është alternativa jonë e vetme 

Shkup, 7 nëntor 2024 (MIA) - Në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, priti ambasadorin e Bashkimit Europian Mihalis Rokas. 

Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Rokas diskutuan gjërë e gjatë për të gjitha çështjet politike në vendin tonë, reformat e nevojshme për integrim europian, legjitimitetin dhe Marrëveshjen e Ohrit si dhe zgjedhjet në Maqedoni të veriut.

Ahmeti, siç citohet, njoftoi Ambasadorin Rokas që BDI është parti e cila për asnjë çast nuk lëkundet nga përcaktimi dhe orientimi euroatlantik.

"Për ne, Integrimi Europian është pa alternativë dhe BDI jep përkrahje të plotë për vazhdim të negociatave dhe realizim të reformave pa asnjë vonesë dhe me konsensus politik", ka thënë Ahmeti.

Në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, Ahmeti përkujtoi që BE dhe SHBA janë garantues të marrëveshjes së paqes dhe që marrëdhëniet ndëretnike janë rënduar shumë nga hapat e pamenduara të qeverisë për gjuhën shqipe, përkatësinë etnike, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, etj. 

"Maqedonia e Veriut dhe maqedonasit nuk kanë humbur asgjë nga barazia me shqiptarët dhe shteti nuk është cënuar aspak nga zbatimi i marrëveshjes së Ohrit.  Dialogu politik në vend duhet të respektojë legjitimitetin zgjedhor të përfaqësuesve legjitim të komuniteteve etnike sepse kështu mundësohet stabilitet, siguri dhe kohezion shoqëror", thuhet në kumtesë.

Ahmeti përsëriti që zgjidhje për këtë situatë të rënduar janë zgjedhjet e përbashkëta parlamentare dhe lokale në tetor të vitit 2025.  sa/

Foto: BDI 

QËNDRONI TË LIDHUR