• сабота, 14 март 2026

Çmimet e naftës bien pasi Trampi paralajmëroi Iranin për Ngushticën e Hormuzit

Çmimet e naftës bien pasi Trampi paralajmëroi Iranin për Ngushticën e Hormuzit

10 mars 2026

Bi-Bi-Si - Londër

Çmimet e naftës sot shënuan rënie pasi presidenti amerikan Donald Tramp paralajmëroi Iranin të mos bllokojë rrugën e anijeve që është kyçe për furnizimin global me energji.

"Nëse Irani bën ndonjë gjë për të ndaluar rrjedhën e naftës në Ngushticën e Hormuzit, ai do të goditet nga Shtetet e Bashkuara NJËZET HERË MË FUQISHËM sesa është goditur më parë", shkroi ai në rrjetet sociale.

Në tregtinë e pasdites vonë në Azi, çmimi i naftës së llojit "Brent" ishte 6,5% më i ulët, me çmim 92,46 dollarë (68.78 £), derisa "Nymex Light Sweet" shënoi rënie për 7% në 88,15 dollarë.

Nafta dje arriti në gati 120 dollarë për fuçi për shkak të frikës se lufta SHBA-Izrael me Iranin do të shkaktonte ndërprerje afatgjatë të furnizimeve nga Lindja e Mesme, por çmimi ra pasi Trampi sugjeroi se lufta mund të përfundonte së shpejti.

"Ne bëmë ekskursion të vogël sepse ndjejmë se duhej ta bënim atë për të hequr qafe ndonjë të keqe. Atëherë mendoj se do të shihni se do të jetë vetëm një ekskursion afatshkurtër", tha Tramp gjatë konferencës për media në Florida.

Reagimet e tregut

Rënia e çmimeve të naftës sot u dha tregtarëve moment për "të marrë frymë", por tregjet energjetike mbeten në gjendje lufte të vazhdueshme midis ndikimeve kundërshtuese", tha Alberto Bellorin i ndërmarrjes investuese të naftës dhe gazit "InterCapital Energy".

"Tregtia me naftë "do të mbetet tepër e shqetësuar" dhe çmimet ndoshta do të rriten nëse konflikti përshkallëzohet, resepktivisht do të bien nëse duket se ajo do të ulet", tha ai.

Çmimet e aksioneve në Azi shënuan rritje meqë shqetësimet në lidhje me ndikimin ekonomik nga konflikti u zvogëluan:

Nikkei 225 japonez shënoi rritje për 2,7%. Hang Seng në Hong Kong shënoi rritje për 2%. Kospi i Koresë së Jugut fitoi vlerë prej 5,5%.

Bursat e aksioneve në rajon u goditën rëndë një ditë më parë për shkak të shqetësimeve të investitorëve se ndërprerjet në Gjirin Persik mund të nënkuptojnë inflacion më të lartë dhe norma interesi në rritje.

Rëndësia strategjike e Ngushticës së Hormuzit

Ngushtica e Hormuzit është vendimtare për tregun global energjetik, sepse rreth një e pesta e naftës në botë kalon përmes kësaj rruge të ngushtë ujore.

Megjithëse çmimi i naftës ka rënë që nga kulmi i djeshëm, ai është ende rreth 20% më i lartë se pak më shumë se një javë më parë, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli filluan sulmet ajrore ndaj Iranit, vuri në dukje Park Ki Hyun i Shkollës së studimeve ndërkombëtare "S. Raxharatnam".

Çmimet do të mbeten "të paqëndrueshme" pasi kompanitë do të arkëtojnë premi për dërgesat për të llogaritur çdo rrezik nga përkeqësimi i situatës", shtoi Park.

Komentet e Trampit mund të sugjerojnë se lufta do të përfundojë së shpejti, por pyetja më e madhe është nëse ato vërejtje do të pasohen nga ndryshime konkrete në zonën e konfliktit.

Përgjigje globale

Vendet e G7 njoftuan dje se janë të gatshme të marrin "masat e nevojshme" për t'u përballur me furnizimin global të energjisë në dritën e rritjes së përnjëhershme të çmimeve të naftës.

Takimi midis udhëheqësve të G7 dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) përfundoi pa një vendim përfundimtar nëse kombet do të lëshonin naftë nga rezervat e tyre, megjithëse për këtë çështje është diskutuar.

Ministri britanik i Financave Rejçell Rivs tha dje se Mbretëria e Bashkuar e kishte përdorur takimin për të bërë thirrje për "de-përshkallëzim urgjent" në Lindjen e Mesme dhe siguri të garantuar për anijet në rajon.

Ajo shtoi: “Unë jam e gatshme të mbështes lirimin e koordinuar të rezervave të përbashkëta të naftës të IEA”. 

foto: arkivi

Остани поврзан