• сабота, 16 мај 2026

Çernobili - 40 vjet më pas: Katastrofa që tronditi botën

Çernobili - 40 vjet më pas: Katastrofa që tronditi botën

Shkup, 26 prill 2026 (MIA) – Në këtë ditë, para saktësisht 40 vitesh, bota u përball me një nga katastrofat më të mëdha bërthamore në histori – shpërthimin e reaktorit të katërt në centralin bërthamor të Çernobilit, pranë Pripjatit, atëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik, sot në Ukrainë.

Katastrofa ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të 26 prillit 1986, në orën 1:23, gjatë një prove sigurie. Si pasojë e një kombinimi të mangësive në ndërtim dhe gabimeve njerëzore, temperatura në reaktor u rrit në dhjetëra mijëra gradë brenda pak sekondash, duke shkaktuar dy shpërthime të fuqishme. U hodh në erë mburoja mbrojtëse prej 2.000 tonësh në çatinë e reaktorit, duke lëshuar grimca radioaktive në atmosferë.

 

Pas kësaj shpërtheu një zjarr në moderatorin e grafitit, i cili për ditë të tëra çliroi sasi të mëdha materiali radioaktiv. Reaktori mbeti i hapur për gati një vit, duke e shndërruar aksidentin në një kërcënim global.

Veçanërisht të goditura ishin Ukraina dhe vendet fqinje Rusia dhe Bjellorusia.

Më shumë se 30 punëtorë dhe zjarrfikës vdiqën nga sëmundja akute e rrezatimit menjëherë pas aksidentit. Disa dekada më vonë, mijëra të tjerë humbën jetën nga sëmundje të lidhura me rrezatimin. Numri i saktë i viktimave nga pasojat afatgjata të ekspozimit ndaj rrezatimit mbetet i panjohur dhe ende është objekt debati intensiv.

 

Чернобил

Konfuzion, heshtje dhe reagim i vonuar

Në orët e para pas shpërthimit, autoritetet sovjetike reaguan ngadalë dhe pa koordinim. Popullsia lokale në Pripjat nuk u informua menjëherë për rrezikun. Evakuimi i qytetit, i cili ndodhet vetëm tre kilometra nga centrali, filloi tek pas 36 orëve, me sigurimin se bëhej fjalë për një masë të përkohshme – një premtim që kurrë nuk u realizua.

Në ndërkohë, informacionet zyrtare ishin të kufizuara dhe të paqarta. Përpjekjet për të fshehur përmasat e katastrofës vazhduan derisa reja radioaktive kaloi kufijtë e Bashkimit Sovjetik. Presioni nga jashtë, por edhe të dhënat shkencore, e detyruan udhëheqjen sovjetike të pranonte seriozitetin e situatës. Megjithatë, edhe atëherë informacioni ishte i kontrolluar dhe i dozuar.

Vetëm pasi u bë i njohur aksidenti, sovjetikët zhvendosën 116.000 njerëz nga zona prej 30 kilometrash rreth centralit bërthamor. Në vitet në vijim, edhe 230.000 banorë të tjerë do të përballeshin me të njëjtin fat.

Për strehimin e të evakuuarve u ndërtua qyteti i ri Sllavutiç.

 

Bota mori vesh nga Suedia

Sinjali i parë se kishte ndodhur diçka serioze nuk erdhi nga Moska, por nga Suedia. Në centralin bërthamor Forsmark, më 28 prill 1986, u regjistruan nivele të rritura të rrezatimit tek punëtorët. Pasi u përjashtua një burim lokal, u bë e qartë se ndotja vinte nga jashtë – gjë që alarmoi botën.

Shkencëtarët sovjetikë u përballën me një situatë të paprecedentë. Rrezatimi në bërthamën e reaktorit ishte aq i lartë sa matjet ishin të vështira ose të pamundura.

 

Heronjtë “likuidatorë”

Zjarrfikësit që mbërritën të parët në vendngjarje nuk ishin të vetëdijshëm se po përballeshin me një armik të padukshëm – rrezatimin vdekjeprurës. Në ditët dhe muajt pas aksidentit, rreth 600.000 njerëz, të cilët më vonë do të quheshin “likuidatorë”, kryesisht ushtarë, policë, zjarrfikës dhe zyrtarë qeveritarë, u dërguan me urdhër nga Moska për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit, vendosjen e sarkofagut të parë prej betoni mbi reaktorin e shkatërruar dhe rehabilitimin e zonës. Ata punuan në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme, shpesh pa mbrojtje të përshtatshme.

Shumë prej tyre e paguan këtë me shëndetin e tyre, e disa edhe me jetën e tyre.

Pas aksidentit në reaktorin e katërt, tre reaktorët e tjerë në Çernobil vazhduan të funksionojnë. I fundit u mbyll në vitin 2000 nën presionin e Perëndimit.

 

Sarkofagu i centralit bërthamor të Çernobilit, i përfunduar në dhjetor 1986, e zvogëloi përhapjen e kontaminimit radioaktiv dhe siguroi mbrojtje radiologjike për ekipet që punonin në reaktorët e paprekur. Në periudhën 2016–2018, rreth sarkofagut të vjetër u ndërtua një mbrojtje e re sigurie në Çernobil për të mundësuar largimin e mbetjeve të reaktorit, ndërsa pastrimi pritet të përfundojë deri në vitin 2065.

Në befasi të shumëkujt që priste që zona të ishte një zonë e vdekur, aty ende ka jetë normale shtazësh, ku hasim arinjtë, bizonët, ujqit, kuajt e egër dhe dhjetëra lloje shpendësh. Sipas shkencëtarëve, kafshët kanë qenë shumë më rezistente ndaj rrezatimit sesa pritej dhe kanë mundur të përshtaten shpejt ndaj niveleve të larta të rrezatimit.

 

Дел од работниците на неоперативната нуклеарна централа Чернобил денеска го напуштија објектот по повеќе од три недели, јави Би Би Си.

 

Ashtu siç përhapej kontaminimi, nivele të rritura të rrezatimit u regjistruan përgjatë Evropës – nga Skandinavia e deri në Ballkan. Shumë vende vendosën masa të përkohshme, veçanërisht për kontrollin e ushqimit, si qumështi dhe produktet e freskëta bujqësore.

Edhe në ish-Jugosllavi, pjesë e së cilës ishte Maqedonia, u ndje efekti i kësaj fatkeqësie. Reja radioaktive, e bartur përmes reshjeve, shkaktoi shqetësim te popullsia. Institucionet filluan matje të shtuara dhe rekomanduan kufizimin e disa llojeve të ushqimit, veçanërisht për fëmijët dhe gratë shtatzëna.

Qytetarëve u këshillohej të shmangnin konsumimin e qumështit të freskët dhe perimeve me gjethe, si dhe të rrisnin higjienën e ushqimit.

Megjithëse vlerat e matura në shumicën e rasteve ishin nën nivelin që do të kërkonte masa urgjente shëndetësore, efekti psikologjik ishte i fortë. Frika nga e padukshmja, nga ajo që nuk mund të ndjehet apo të shihet, u bë pjesë e jetës së përditshme.

 

Çernobili sot – mes së kaluarës dhe rreziqeve të reja

Katër dekada më vonë, Çernobili mbetet simbol i rreziqeve të energjisë bërthamore, por edhe i pasojave të fshehjes së të vërtetës.

Gjatë luftës ruso-ukrainase, zona rreth centralit u rikthye në vëmendjen e opinionit botëror, kur në vitin 2022 u vu nën kontrollin e forcave ruse. Edhe pse nuk pati një aksident të ri bërthamor, situata theksoi brishtësinë e sistemeve të sigurisë në kushte konflikti.

Sot, Pripjati i braktisur qëndron si një dëshmitar i ngrirë i tragjedisë – me ndërtesa të zbrazëta, shkolla të rrënuara dhe lodra fëmijësh të braktisura.

Reaktorët në Çernobil pritet të çmontohen plotësisht deri në vitin 2064.

Me dhjetëra viktima të drejtpërdrejta dhe mijëra komplikime shëndetësore që dolën nga katastrofa, Çernobili është një nga dy aksidentet bërthamore të vlerësuara me shkallën maksimale të seriozitetit në Shkallën Ndërkombëtare të Ngjarjeve Bërthamore. Tjetri është aksidenti bërthamor në centralin Fukushima në Japoni në vitin 2011.

 Çernobili mbetet fatkeqësia më e rëndë bërthamore dhe katastrofa më e shtrenjtë në histori, me kosto të vlerësuara prej rreth 700 miliardë dollarësh amerikanë.

 

Украинскиот претседател Володимир Зеленски отвори нова локација за одлагање на нуклеарен отпад во близина на Чернобил, местото на најтешката нуклеарна несреќа во светот, што се случи пред точ

 

Me rastin e 40-vjetorit të Çernobilit, OKB-ja bëri thirrje për përdorim paqësor të teknologjisë bërthamore. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gutieresh, e përshkroi atë si aksidentin më të madh bërthamor në histori.

“Çernobili nuk ishte vetëm një tragjedi kombëtare, por edhe një mësim se pasojat e aksidenteve bërthamore ndahen nga komuniteti ndërkombëtar”, theksoi Gutieres.

Katër dekada më vonë, organizatat botërore theksojnë se kujtesa duhet të respektohet me përgjegjësi, teknologjia bërthamore duhet të përdoret rreptësisht për qëllime paqësore, e mbështetur nga masa të forta ndërkombëtare sigurie, respektim i së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunim përmes Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, në mënyrë që të sigurohet që katastrofa si Çernobili të mos ndodhin më kurrë.

Foto: MIA / EPA

 

 

 

 

Остани поврзан