Zelenski: Ukraina do të eksportojë armë
- Ukraina po përgatitet të eksportojë armë sepse vendi prodhon më shumë sesa u nevojitet forcave të saja të armatosura, deklaroi mbrëmë presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Kiev, 29 prill 2026 (MIA) – Ukraina po përgatitet të eksportojë armë sepse vendi prodhon më shumë sesa u nevojitet forcave të saja të armatosura, deklaroi mbrëmë presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
“Në segmente të caktuara prodhimi, për momentin kemi tepricë deri në 50 për qind”, tha Zelenski në fjalimin e tij të mbrëmshëm.
“Eksporti i armëve ukrainase do të bëhet realitet. Armata ukrainase do të ketë gjithmonë përparësi dhe furnizime të mjaftueshme – do të marrë gjithçka që i nevojitet dhe sasitë e tepërta do të shkojnë për eksport.”
Zelenski theksoi se Ukraina tashmë bashkëpunon me vendet në Lindjen e Mesme, Evropë dhe Kaukaz në kuadër të një formati të veçantë bashkëpunimi të njohur si “marrëveshje për dronë”. “Në tryezë është edhe propozimi për partnerët tanë amerikanë”, shtoi ai.
Marrëveshja mund të përfshijë eksportin e dronëve, sistemeve të mbrojtjes dhe llojeve të tjera të armëve dhe konsiderohet si mënyrë për të forcuar situatën financiare të vendit.
“E përsëris, kushtet duhet të jenë të favorshme për Ukrainën, duhet të ketë mbikëqyrje të qartë dhe të ardhurat nga eksporti duhet të forcojnë mbrojtjen e Ukrainës. Dhe kështu do të jetë”, deklaroi Zelenski.
Ukraina e ka rritur ndjeshëm prodhimin e armëve që kur Rusia filloi ndërhyrjen e saj ushtarake katër vjet më parë.
Foto: arkivi i MIA-s