• сабота, 21 февруари 2026

Zelenski u bën thirrje partnerëve evropianë të përshpejtojnë ndihmën për mbrojtjen ajrore

Zelenski u bën thirrje partnerëve evropianë të përshpejtojnë ndihmën për mbrojtjen ajrore

 Kiev, 13 shkurt 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u ka kërkuar partnerëve evropianë të përshpejtojnë dërgesat e raketave për mbrojtje ajrore pas një serie sulmesh të rënda ajrore ruse.

"Kjo është një detyrë kyçe për momentin, jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë në Evropë", deklaroi Zelenski mbrëmë në një video-fjalim. "Rusët nuk duhet të mësohen të besojnë se raketat dhe "shahedët" po i ndihmojnë në ndonjë mënyrë", shtoi ai. 

 Zelenski paraprakisht deklaroi se sistemet për mbrojtje ajrore "Patriot" nuk ishin në gjendje të veprojnë në janar për shkak të mungesës së municioneve, raportoi DPA.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, pas konsultimeve në margjinat e një takimi të NATO-s në Bruksel, vonë mbrëmë  deklaroi se Gjermania do të sigurojë pesë raketa shtesë të drejtuara PAC-3 për sistemet "Patriot" të Ukrainës nëse vendet e tjera mbështetëse kontribuojnë së bashku me gjithsej 30 raketa PAC-3. 

 Pistoriusi tha se është optimist se objektivi "30 plus 5" do të arrihet. Të gjitha palët e përfshira janë të vetëdijshme se qëllimi është të shpëtojnë jetë dhe se është çështje ditësh, jo javësh apo muajsh, shtoi ai.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Myhailo Fedorov, e përshkroi këtë veprim si një iniciativë shumë të mirë dhe theksoi se raketa të tjera interceptuese priten përmes programit të furnizimit të armëve PURL të NATO-s. Sipas skemës PURL (Prioritised Ukraine Requirements List), vendet e NATO-s bashkëpunojnë për të blerë pajisje mbrojtëse nga ShBA për nevojat e Ukrainës. 

 Sulmet ruse me 25 raketa dhe më shumë se 200 dronë dje shkaktuan dëme të rënda në infrastrukturën energjetike në Kiev, Odesa dhe Dnjepar.

Zelenski gjithashtu shprehu skepticizëm në lidhje me bisedimet e planifikuara në ShBA javën e ardhshme që synojnë t'i japin fund luftës gati katërvjeçare. Ai tha se Rusia ende nuk ka dhënë një përgjigje të prerë për propozimet. Ukraina dhe Rusia zhvilluan bisedime të fundit në Emiratet e Bashkuara Arabe, me ShBA-në si ndërmjetës. 

 Foto: DPA

 

Остани поврзан