Zelenski pret raund serioz dhe të dobishëm të negociatave paqesore
- Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski sot në Munih deklaroi se pret që raundi i ardhshëm i negociatave paqesore të jetë serioz, thelbësor dhe i dobishëm. Megjithatë, ai shtoi se ndonjëherë duket se "palët të flasin për punë krejtësisht të ndryshme".
Munih, 14 shkurt 2026 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski sot në Munih deklaroi se pret që raundi i ardhshëm i negociatave paqesore të jetë serioz, thelbësor dhe i dobishëm. Megjithatë, ai shtoi se ndonjëherë duket se "palët të flasin për punë krejtësisht të ndryshme".
Raundi i ri bisedimesh midis përfaqësuesve rusë dhe ukrainas, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, do të zhvillohet në Gjenevë të martën dhe të mërkurën.
Duke folur në Konferencën e sigurisë në Munih, Zelenski tha se fokusi kryesor i bisedimeve paqesore ishte të sigurohej që "për katër vite, bota e civilizuar nuk do të detyrohet të justifikojë veten përsëri, të zhvendos përgjegjësinë dhe të kërkojë dikë tjetër për të fajësuar" për edhe një luftë.
"Ukraina është e gatshme për marrëveshje që do të sjellë paqe të vërtetë për ne, për Ukrainën dhe për Evropën", shtoi ai, duke thënë se Evropa praktikisht nuk ishte e pranishme në tryezën e negociatave, por duhet të jetë.
"Ky është gabim i madh", tha ai.
Zelenski theksoi se do të ishte iluzion të besohej se kjo luftë tani mund të përfundonte në mënyrë të sigurt, me ndarjen e Ukrainës. Ai përsëriti se Rusisë nuk duhet t'i jepet asnjë shpresë se mund të mbetet e pandëshkuar për këtë krim.
Ai tha se Moska ishte më serioze në lidhje me negociatat kur u godit nga sulme të thella ukrainase në territorin e saj.
"Sa më të fortë jemi, aq më reale bëhet paqja", tha ai. bsh/