• четврток, 19 март 2026

Zbulohet rrjeti ndërkombëtar për trafikim kokaine, i ndjekur përmes rrjedhave financiare

Zbulohet rrjeti ndërkombëtar për trafikim kokaine, i ndjekur përmes rrjedhave financiare

Bruksel, 26 shkurt 2026 (MIA) - Një rrjet ndërkombëtar kriminal, i cili ka përfituar nga tregtia e kokainës për grupet kriminale të organizuara italiane, është shkatërruar pas një hetimi të detajuar që ka ndjekur gjurmën e parave nëpër Evropë, njoftoi Europol.

Rrjeti, i cili shërbente si mjet për larjen e parave për grupet mafioze italiane Kamora dhe Ndrangeta, operonte përmes kompanive fiktive, faturave të rreme dhe investimeve luksoze, në këtë mënyrë miliona euro nga kokaina janë përvetësuar dhe riinvestuar në ekonominë evropiane.

Hetimi, i cili u zhvillua nga xhandarmëria kombëtare franceze në bashkëpunim me karabinierët Italianë dhe zyrën federale të policisë zvicrane, zbuloi operacionin që përfshinte disa vende evropiane. Përveç këtyre, në hetim morën pjesë edhe policia federale gjyqësore belge, Agjencia shtetërore për sigurinë kombëtare bullgare, dogana gjermane, si dhe policia kombëtare e Ekuadorit, në koordinim me Europol dhe Euroxhast.

Hetimi financiar tregoi se rrjeti i larjes së parave ishte i lidhur drejtpërdrejt me një rrugë të madhe tregtare për kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Ekziston dyshimi se grupi ishte përgjegjës për koordinimin e dërgesave detare të kokainës drejt porteve kryesore evropiane. Një sekuestrim i madh nga zyrtarët doganorë belgë në fund të vitit 2025 ishte pika kyçe në zbardhjen e rrjetit. Para tre ditësh, u zhvillua një operacion i koordinuar në katër vende evropiane – Francë, Itali, Belgjikë dhe Zvicër, ndërsa shtatë persona u arrestuan, duke përfshirë edhe të dyshuarin nga Mali i Zi. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан