Xhej Di Vens: Po, ky është një ndryshim i madh, por na duhet
- Nënpresidenti amerikan Xhej Di Vens tha se tarifat e reja që i publikoi Donald Trampi janë "një ndryshim i madh" por edhe një kthim i domosdoshëm për ekonominë amerikane.

Uashington, 3 prill 2025 (MIA) - Nënpresidenti amerikan Xhej Di Vens tha se tarifat e reja që i publikoi Donald Trampi janë "një ndryshim i madh" por edhe një kthim i domosdoshëm për ekonominë amerikane.
"Ne detyrohemi te fermerët kinez për ta blerë atë që prodhojnë të njejtët fermerë. Kjo nuk është recetë për prosperitet, çmime të ulëta, as vende të mira pune në Amerikë", tha Vens për Foks Njuz, duke e kritikuar modelin e ekonomisë globale për të cilin ai pretendon se e ka çuar SHBA-në në borxh të madh dhe varësi nga prodhimtaria e huaj.
"Për momentin, presidenti Tramp e çon ekonominë në një drejtim tjetër, kjo është ajo në të cilën ai e bazoi fushatën e tij, kjo është ajo që e premtoi dhe tani e plotëson. Po, ky është një ndryshim i madh, nuk do ta fsheh. Por, ne kishim nevojë për një ndryshim të madh", shtoi ai.
Vens tha se administrata "punon me përkushtim" në uljen e çmimeve, por paralajmëroi se ndryshimet nuk do të ndodhin brenda natës. Ai gjithashtu tha se çmimet e larta do të jenë rezultat i inflacionit nga mandati i Bajdenit, ndërsa jo i procedurave të Trampit.
Për uljet tatimore të paralajmëruara tha se nuk i sheh si kompensim për tarifat, por si pjesë e "kthesës totale" që do t'i shpërblejë punëtorët dhe kompanitë amerikane.
"Unë u rrita në një familje e cila shpesh herë jetojnë nga paga në pagë dhe e di se shumë amerikanë kanë frikë nga rritja e kostos së jetesës. Ne luftojmë për ta ndryshuar këtë", përfundoi ai. sa/
Foto: Vens në Fejsbuk, skrinshot