VLEN: Fronti Evropian sillet në mënyrë destruktive ndaj çështjeve që janë të rregulluara me procedurë parlamentare
- Sot jemi këtu për një arsye shumë të qartë. Fronti Evropian, apo siç njihet në opinion si AKI, i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, po sillet në mënyrë tërësisht destruktive ndaj çështjeve që janë krejtësisht normale, teknike dhe të rregulluara qartë me procedurë parlamentare.
Shkup, 13 janar 2026
Sot jemi këtu për një arsye shumë të qartë. Fronti Evropian, apo siç njihet në opinion si AKI, i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, po sillet në mënyrë tërësisht destruktive ndaj çështjeve që janë krejtësisht normale, teknike dhe të rregulluara qartë me procedurë parlamentare.
Dua ta theksoj qartë që në fillim: kjo sjellje nuk është dhe nuk ka qenë kurrë praktikë normale parlamentare. Verifikimi i mandatit të një deputeti nuk është çështje politike, as çështje shumice apo pakice, por procedurë formale dhe automatike e Kuvendit.
Kur një deputet kalon në një funksion tjetër, Kuvendi ka një mekanizëm të qartë dhe të konsoliduar: mandati plotësohet nga kandidati i radhës në listë. Kjo nuk është çështje vullneti politik, por detyrim institucional. Mosvotimi apo votimi kundër verifikimit të një mandati është absurd dhe i rrezikshëm për funksionimin demokratik të shtetit.
Le të shtrojmë një pyetje hipotetike, por shumë reale: çfarë do të ndodhte nëse nesër një deputet nga radhët e BDI-së do të duhej të verifikohej dhe shumica parlamentare do të refuzonte ta votonte mandatin e tij? Kjo do të nënkuptonte bllokim të institucioneve dhe do të ishte një puç institucional, jo proces demokratik.
Pikërisht këtë sjellje e pamë në rastin e deputetes Valbona Adili Emini, e cila erdhi në vend të Salim Sulejmanit, dhe e pamë sërish dje me deputetin Zeqirja Tairi, i cili zuri vendin e deputetit Bekim Sali, tashmë i emëruar ministër. Në të dy rastet, opozita zgjodhi ta politizojë një procedurë teknike, duke krijuar konfuzion të panevojshëm te qytetarët. Kjo qasje destruktive nuk ndalet vetëm te verifikimi i mandateve. Ajo po shtrihet edhe te vendimmarrjet kyçe që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi.
Më 29 dhjetor, Kuvendi miratoi Projektligjin për Këshillin Gjyqësor, një ligj që vendos themelet për një Këshill Gjyqësor të fortë, të pavarur dhe transparent, me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor. Edhe ky ligj, pjesë e agjendës reformuese shtetërore, nuk u mbështet nga Fronti Evropian, përkatësisht BDI.
Dje, më 12 janar, Kuvendi kishte përpara dy propozime të Presidentes për anëtarë të Këshillit Gjyqësor: një avokate me përvojë dhe një profesoreshë universitare me kredenciale të larta profesionale, etnikisht shqiptare. Edhe në këtë rast, Fronti Evropian zgjodhi të mos e mbështesë procesin.
Ne nuk e hapim këtë temë për emra dhe as për përkatësi etnike. Ajo që është thelbësore është hipokrizia politike e atyre që në publik flasin për përfaqësim dhe institucione, por në praktikë bllokojnë çdo proces që nuk kontrollohet prej tyre. E patën rastin ta dëshmojnë me votë se janë për reforma dhe institucione funksionale dhe zgjodhën të kundërtën.
Një opozitë që me veprimet e veta ka kontribuar që besimi i qytetarëve në gjyqësor të bjerë në nivele minimale, sot dëshmon qartë se nuk është e interesuar as për reforma, as për respektimin e procedurave parlamentare.
Ne do të vazhdojmë të insistojmë në rend, në ligj dhe në funksionim normal të institucioneve. Dhe do ta denoncojmë publikisht, sa herë që është e nevojshme, çdo sjellje destruktive që dëmton interesin publik dhe rendin demokratik.
Kaltrina Beqiri, deputete e VLEN-it
_________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
Foto: Printskrin nga video