• петок, 20 февруари 2026

Vajc: Maqedonia e Veriur të dorëzojë reforma, ndërsa BE-ja t'i plotësojë obligimet e veta

Vajc: Maqedonia e Veriur të dorëzojë reforma, ndërsa BE-ja t'i plotësojë obligimet e veta

Bruksel, 19 shkurt 2026 (MIA) - Me rëndësi thelbësore për eurointegrimin e shtetit, posaçërisht në kontekst të realitetit të ri gjeopolitik, është që të gjithë aktorët politik, posaçërisht Qeveria, të japin rezultate të prekshme në fushat kyçe, ndërsa në të njëjtën kohë BE-ja dhe shtetet anëtare duhet të përmbushin detyrimet e tyre, duke e mbështetur plotësisht vendin, përfshirë edhe përmes angazhimit aktiv diplomatik, për ta ndihmuar atë të bëjë përparim në përmbushjen e angazhimeve të veta, thotë raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, eurodeputeti Tomas Vajc në draft-raportin vjetor për përparimin e vendit, të cilin javën e ardhshme, më 26 shkurt, do ta prezantojë në Komitetin e Punëve të Jashtme të PE-së (AFET).

Ky do të jetë raporti i dytë për vendin që nga viti 2022, pas atij të miratuar nga PE vitin e kaluar. Vajc, në deklaratën e tij sqaruese në draft-raportin, thekson se këtë vit e ka nderin të prezantojë raportin e dytë të tij për Maqedoninë e Veriut dhe shton se dokumenti synon të ofrojë vlerësim të balancuar dhe objektiv për përparimin e vendit në procesin e pranimit dhe, në pajtim me praktikën e vendosur, po përgatitet si përgjigje të Pakos së zgjerimit të KE-së për vitin 2025.

"Maqedonia e Veriut në këtë moment gjendet në pozitë të vështirë, pasi procesi i qasjes është ndalur. Edhe krahas disa reformave pozitive, përparimi i Agjendës reformuese të BE-së - posaçërisht në sferat si sundimi i së drejtës, reformat në gjyqësi dhe lufta kundër korrupsionit është i pamjaftueshëm. Kjo ka të bëjë me fushatën zgjedhore, kapacitetet e kufizuara në administratën publike dhe mungesën e përkushtimit afatgjatë politik", tha Vajc.

Ai potencoi se nuk është arritur përparim lidhur me ndryshimet kushtetuese, për shkak të brengosjes për bllokada të mundshme shtesë bilaterale ose kërkesa nga Bullgaria. Vlerëson se nevojitet rritje urgjente e vullnetit politik nga të dy anët për t'u tejkaluar ky bllokim.

Vajc thekson se në kohë të ndryshimeve të mëdha në rendin ndërkombëtar, posaçërisht për shkak të luftës në Rusi kundër Ukrainës, pasiguria e papritur rreth ardhmërisë së aleancës transatlantike dhe kërcënimet më të gjera për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, me rëndësi thelbësore është që Evropa të mbetet e bashkuar.

"Në këtë kontekst gjeopolitik, mund të paraqiten mundësi për të jetësuar dhe përshpejtuar procesin e pranimit. Megjithatë, ky proces do të mbetet i bazuar në meritë dhe fuqimisht i lidhur me përparimin në fushat themelore, veçanërisht sundimin e ligjit. Prandaj është thelbësore që të gjithë aktorët politikë në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht Qeveria dhe deputetët e shumicës qeverisëse, ta njohin këtë urgjencë të re dhe të fillojnë të japin rezultate të prekshme, bindëse dhe të ndershme në këto fusha kyçe, pa vonesë të mëtejshme", tha Vajc.

Ai theksoi se përparimi në reformat e sundimit të ligjit nuk është i rëndësishëm vetëm për t'iu afruar anëtarësimit në BE, por është gjithashtu thelbësor për ndërtimin e një shteti me prosperitet dhe rezistues që u shërben të gjithë qytetarëve.

"Sundimi fiunksional i së drejtës dhe klima e parashikueshme dhe e besueshme investuese janë parakushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Kjo gjithashtu do t'i mundësojë vendit dhe qytetarëve të tij të përfitojnë plotësisht nga proceset dhe projektet graduale të integrimit, që i ofron Bashkimi Evropian", tha Vajc.

Në të njëjtën kohë, BE-ja dhe vendet-anëtare të saj, shtoi Vajc, po ashtu duhet t'i plotësojnë obligimet e veta.

"Ne duhet ta mbështesim plotësisht vendin, përfshirë edhe përmes një angazhimi aktiv diplomatik, për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut të bëjë përparim në përmbushjen e detyrimeve të saj dhe tejkalimin e pengesave ekzistuese. Sa i përket këtij institucioni, ashtu si në periudhën e mëparshme raportuese, unë mbetem i përkushtuar për të nxitur një shumicë të qëndrueshme, konstruktive, proevropiane, prodemokratike dhe pro-zgjerimit në mbështetje të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Pres të siguroj mbështetjen e të gjithë eurodeputetëve që ndajnë këtë qëllim strategjik", tha Vajc.

Draft-raporti do të kalojë nëpër të gjitha filtrat në PE para se të vijë në seancë plenare, e në atë proces mund të pësojë ndryshime, prandaj versioni i tij përfundimtar do të dihet pasi të kalojë të gjitha fazat në PE.

Në draft-raportin shprehet mbështetje e plotë për angazhimin e vendit për anëtarësim në BE dhe angazhimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për integrimin në BE, por rekomandohet se nevojitet angazhim i ripërtërirë politik, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese, bashkëpunimin konstruktiv ndërpartiak dhe mbikëqyrje efektive parlamentare e progresit të reformave.

Lidhur me mediumet dhe shoqërinë civile thuhet se nevojitet përmirësimi në drejtim të lirisë më të madhe dhe pavarësisë së mediumeve, luftë kundër dezinformatave dhe përfshirje të shoqërisë civile në reformat.

Korniza e përgjithshme në lidhje me të drejtat themelore është kryesisht e kënaqshme, por thuhet se nevojiten përmirësime në fushën e barazisë gjinore, të drejtave të komuniteteve joshumicë, personave me aftësi të kufizuara dhe komunitetit LGBT.

Në fushën e sundimit të ligjit, draft-raporti thekson se polarizimi politik, bashkëpunimi i kufizuar ndërpartiak dhe besimi i reduktuar i opinionit në institucione vazhdojnë të ndikojnë në zbatimin e reformave, veçanërisht në reformat kyçe që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.

Në draft-raportin në pjesën e reformave socio-ekonomike, përshëndeten hapat e para në zbatimin e Agjendës së reformave, por thuhet se nevojiten hapa shtesë, për shembull për aktivitizimin e tregut të punës.

Lidhur me mjedisin e jetesës, biodiversitetit, energjisë dhe transportit, përshëndetet progresi në lidhje me Ligjin për energji dhe Korridoret 8 dhe 10, ndërsa theksohet se nevojiten më shumë investime në transport, infrastrukturë energjetike dhe legjislacion në sferën e mjedisit të jetesës.

Në pjesën për bashkëpunimin rajonal dhe politikë të jashtme, përshëndetet pjesëmarrja konstruktive e vendit në rajon dhe harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së, ndërsa kërkohet angazhim i vazhdueshëm për dialog dhe bashkëpunim me vendet fqinje.

Pas prezantimit të draft-raportit më 26 shkurt, dokumenti do të shqyrtohet nga të gjitha grupet politike në periudhën mars-prill, pas çka vijon votim për të në AFET në maj, si dhe votim në seancën plenare të PE-së para pushimeve verore.

PE vitin e kaluar në korrik miratoi Raportin e parë nga eurodeputeti austriak, Vajc për Maqedoninë e Veriut për vitin 2023 dhe 2024 me 461 vota "pro", 121 "kundër" dhe 107 "abstenime", por në të nuk ishte përmbajtja formulimi "identiteti dhe gjuha maqedonase".

Në deklaratë me shkrim pas votimit, Vajc theksoi se vendi është lider në rajon, duke treguar përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së, duke përfshirë edhe një ndryshim historik të emrit dhe reforma të guximshme.

"Por pranimi i saj është bllokuar padrejtësisht për një kohë shumë të gjatë për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe, duke nxitur frustrimin publik dhe zhgënjmimin nga BE-ja", tha Vajc në deklaratë. bsh/

Foto: MIA arkiv

Остани поврзан