Vadeful u detyrua të strehohet në një bunker gjatë një vizite të paparalajmëruar në Izrael
- Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johanes Vadeful u detyrua të kërkonte strehim të shkurtër në një bunker në aeroportin "Ben Gurion" të Tel Avivit sot, ndërsa u largua nga një vizitë e paparalajmëruar në Izrael.
Jerusalem, 10 mars 2026 (MIA) – Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johanes Vadeful u detyrua të kërkonte strehim të shkurtër në një bunker në aeroportin "Ben Gurion" të Tel Avivit sot, ndërsa u largua nga një vizitë e paparalajmëruar në Izrael.
Vadefuli është ministri i parë i jashtëm evropian që udhëton në Izrael që nga fillimi i luftës me Iranin më 28 shkurt, ku u takua me homologun e tij izraelit, Gideon Sar për bisedime në Jerusalem, transmeton DPA.
Pasi hipi në një aeroplan ushtarak për t'u nisur nga Tel Avivi, u dëgjuan sirenat pas një sulmi të ri iranian ndaj Izraelit. Ministri dhe zyrtarë të tjerë që ishin me të u detyruan të zbrisnin nga aeroplani dhe të shkonin drejt një bunkeri.
Pas kalimit të rrezikut Vadeful tha: “Gjithçka është në rregull këtu!” dhe bëri me gisht lart.
Portali i lajmeve "ynet" raportoi se qyteti i Beit Shemeshit u godit nga mbeturinat e raketave disa orë pasi Vadeful dhe Sar vizituan qytetin në perëndim të Jerusalemit, ku nëntë persona u vranë dhe 50 u plagosën në një sulm raketor iranian më 1 mars.
Gjithsej në Izrael ka 13 raste të vdekjes si rezultat i sulmeve iraniane që nga fillimi i luftës me një ofensivë në shkallë të gjerë SHBA-Izrael kundër Iranit.
Vizita e Vadefulit vijon pas bisedimeve me homologun e tij qipriot Konstantinos Kombos në Nikozi më herët sot.
Foto: DPA