Ulen akcizat për karburantet, TVSH prej 10 për qind do të vazhdojë deri në fund të gjendjes së krizës
- – Ulje të akcizave për 4 denarë për dizelin dhe benzinën pa plumb prej 95 dhe 98 oktanë për 2 denarë për litër, vendosi Qeveria sot në mbledhjen e jashtëzakonshme.
Shkup, 5 prill 2026 (MIA) – Ulje të akcizave për 4 denarë për dizelin dhe benzinën pa plumb prej 95 dhe 98 oktanë për 2 denarë për litër, vendosi Qeveria sot në mbledhjen e jashtëzakonshme.
Vendimin në konferencën për media e kumtoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se me këtë në mënyrë dramatike do të ulet çmimi i karburanteve dhe mbrohet standardi i qytetarëve.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme Qeveria vendosi që TVSH-ja për karburantet të vazhdojë të ulet prej 18 në 10 për qind deri në fund të gjendjes së krizës, e cila do të përfundojë më 20 prill.
Mickoski theksoi se pa uljen e akcizës, një litër dizel do të ishte rreth 102 ose mbi 102 denarë, ndërsa benzina pa plumb prej 95 dhe 98 oktanë do të ishte më e shtrenjtë për 1,5 deri 2 denarë.
Kumtoi se sot kishin bisedime edhe me OKTA-n dhe u morën vesh që zbritjen ta vazhdojnë deri në fund të prillit, nga 3 denarë për dizelin për një litër, ndërsa për benzinën pa plumb prej 95 dhe 98 oktanë edhe 2 denarë më pak për një litër.
“Kur analizohet e gjithë kjo, arrijmë në çmimin për naftën që do të jetë i njëjtë me më parë, nëse llogarisim zbritjen prej 4 denarësh për akcizën dhe 3 denarë që marrim nga OKTA, në mënyrë që të amortizojmë rritjen e mundshme prej 7 denarësh për litër, ndërsa për benzinën pa plumb me oktan 95 dhe 98, krahas 2 denarëve të akcizës për litër, do të kemi ulje prej 2 denarësh për litër, domethënë do të jemi 2 denarë nën çmimin që ishte në periudhën e mëparshme të rregulluar, pra javën e kaluar”, deklaroi Mickoski në konferencën për media.
Theksoi se vendimi është marrë për shkak të pasigurisë si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe presionit mbi ekonominë. Siç tha, nuk mund të jemi të izoluar nga ndikimi i proceseve globale, por veprojmë dhe nuk presim që kriza të na shkelë. fc/
Foto: MIA