• среда, 18 март 2026

Uitkof: Përfaqësuesit amerikanë dhe ukrainas nesër përsëri do të bisedojnë në Gjenevë

Uitkof: Përfaqësuesit amerikanë dhe ukrainas nesër përsëri do të bisedojnë në Gjenevë

Gjenevë, 25 shkurt 2026 (MIA) - Përfaqësuesit amerikanë dhe ukrainas nesër do të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh në Gjenevë, njoftoi i dërguari special i SHBA-së, Stiv Uitkof.

Përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së përfunduan takimin e tyre në Gjenevë më 17 dhe 18 shkurt pa përparim në çështjet territoriale dhe një armëpushim.

Uitkof deklaroi se nesër do të jetë në Gjenevë me Xhared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Tramp dhe bashkëkryetarin e delegacionit të SHBA-së, për bisedime me Iranin.

Është planifikuar gjithashtu një takim me Sekretarin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov.

Zelenski sot konfirmoi se delegacioni ukrainas do të takohet me përfaqësues të Presidentit amerikan Donald Tramp përpara bisedimeve trepalëshe me Rusinë, raportuan mediat amerikane.

"Rustem Umerov do të bisedojë me përfaqësuesit amerikanë Uitkof dhe Kushner", tha Zelenski.

Në takimin e përbashkët do të shqyrtohen detajet e një plani të mundshëm për rikonstruimin e Ukrainës pas luftës dhe përgatitjet për takimin e ardhshëm trepalësh me përfaqësuesit e Moskës", tha Zelenski, duke shtuar se ai gjithashtu i kishte udhëzuar Umerov të diskutojë për një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve.

Utikof tha se bisedimet e mëparshme me Rusinë dhe Ukrainën e kanë zgjidhur kryesisht çështjen e garancive të sigurisë për Ukrainën pas luftës.

Ai tha se të dyja palët po marrin pjesë në përpjekjet paqësore dhe se personat zyrtarë flasin pothuajse çdo ditë.

Uashingtoni nuk po i bën presion Ukrainës që të bëjë lëshime në asnjë pikë të planit të paqes, kurse rusët kanë treguar "njëfarë moderimi", tha Uitkof, duke folur në një forum ndërkombëtar të Fondacionit Viktor Pinçuk në Kiev. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан