U nënshkrua deklaratë e përbashkët për Korridorin VIII, me fokus të integrimit në BE dhe sigurisë rajonale
- Shefat e delegacioneve që morën pjesë në takimin ministror për Korridorin VIII në Tiranë sot nënshkruan deklaratë të përbashkët, duke e cekur përkushtimin e tyre për bashkëpunim të ngushtë dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.
Tiranë, 18 shkurt 2026 (MIA) - Shefat e delegacioneve që morën pjesë në takimin ministror për Korridorin VIII në Tiranë sot nënshkruan deklaratë të përbashkët, duke e cekur përkushtimin e tyre për bashkëpunim të ngushtë dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.
Në deklaratë Korridori VIII konsiderohet bosht strategjik Lindje-Perëndim që e lidhë Detin Adriatik me Detine Zi dhe si komponentë thelbësore e rrjetit TEN-T, që konbtribuon për stabilitet, prosperitet dhe siguri në Evropën Juglindore.
"Ritheksojmë se Korridori VIII ka domethënie strategjike me rëndësi politike, ekonomike dhe të sigurisë, duke kontribuar në kohezionin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Nënvizojmë se zbatimi i koordinuar dhe në kohë i Korridorit VIII adreson boshllëqet e kahershme të ndërlidhjes në Evropën Juglindore, duke rritur njëkohësisht besueshmërinë, vizibilitetin dhe ndikimin e prekshëm të angazhimit të shtuar të BE-së për integrimin e plotë të rajonit në hapësirën e përbashkët evropiane të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit", qëndron mes tjerash në dokument.
Ceket se ky projekt strategjik infrastrukturor përbën një kuadër kyç për ndërtimin e besimit politik, forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe thellimin e kontakteve ndërmjet njerëzve, veçanërisht mes të rinjve.
"Dënojmë fuqishëm luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe mbështesim përpjekjet ndërkombëtare politike dhe diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje që i jep fund konfliktit, duke hapur rrugën për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë dhe për një të ardhme prosperiteti për Ukrainën dhe popullin e saj", shtohet më tej.
Vlersëohet se Korridori VIII është me rëndësi të integrimit ekonomik rajonal, në përputhje me katër liritë e Bashkimit Evropian, si një shtysë kyçe për rritje të qëndrueshme, konkurrueshmëri dhe konvergjencë ekonomike. Pranojmë se Ballkani Perëndimor dhe rajoni i Detit të Zi përbëjnë tregje dhe zona tranziti të rëndësishme për tregtinë europiane dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu nënvizohet se Korridori VIII është një projekt themelor infrastrukturor që lehtëson flukset tregtare, përmirëson efikasitetin logjistik dhe forcon zinxhirët rajonalë dhe europianë të furnizimit. Duke lidhur kapacitetet prodhuese dhe tregjet e punës, ai nxit ndërvarësinë ekonomike, duke rritur njëkohësisht qëndrueshmërinë rajonale, përfshirë në kohë krize dhe emergjencash.
"Rikonfirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta shndërruar Korridorin VIII në një arterie strategjike të ndërlidhjes europiane, zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit, duke e mbajtur atë si prioritet në agjendën politike si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë europian, si dëshmi e përgjegjësisë së përbashkët, angazhimit afatgjatë dhe vizionit të përbashkët strategjik për rajonin. Angazhohemi të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për mobilizimin e burimeve financiare nga instrumentet e BE-së, përfshirë Connecting Europe Facility (CEF), IPA III dhe Western Balkans Investment Framework (WBIF), si dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe partneritetet publike-private", qëndron në pjesën për implementimin dhe hapat e ardhshëm.
Shprehin dakordësi ta konsolidojnë këtë format pesëpalësh, si një platformë të strukturuar politike të nivelit të lartë për dialog dhe bashkëpunim, si dhe të vijojmë konsultimet e rregullta politike dhe teknike për të avancuar me shpejtësi Korridorin VIII si një bosht plotësisht funksional, të qëndrueshëm dhe të integruar të ndërlidhjes dhe sigurisë evropiane.
Takimi ministror "Korridori VIII në momentin strategjik të Evropës: Lidhja, rezistenca përmes mobilizimit ushtarak dhe prosperitetit të ndarë përmes integrimit", morën pjesë delegacione të Italisë, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë, Bullgarisë dhe nikoqires, Shqipërisë. ab/