• сабота, 16 мај 2026

Tripunovski: Fondet nga programi IPARD përsëri në dispozicion të fermerëve

Tripunovski: Fondet nga programi IPARD përsëri në dispozicion të fermerëve

Shkup, 28 prill 2026 (MIA) - Nga Komisioni Evropian, Drejtoria e përgjithshme për bujqësi dhe zhvillim rural, sot arriti njoftim zyrtar se Fondet nga programi IPARD janë përsëri të qasshme për fermerët nga Maqedonia e Veriut. Konform aktiviteteve të ndërmarra në kohë, kontrollin e plotë dhe të detajuar të përdorimit të fondeve IPARD, është vërtetuar se nuk ka pasur parregullsi në procedura. Kjo do të thotë se sistemi funksionon, institucionet veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe në interes të fermerëve, bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.

Tripunovski në konferencën për shtyp, sqaroi se Brukseli kurrë nuk i ka bllokuar fondet, por se në momentin që rasti i keqpërdorimit të drejtorit të mëparshëm të Agjencisë së pagesave u bë publike, “u aktivizua mekanizmi nacional i cili e informoi Brukselin”.

"E informuam Brukselin se është i nevojshëm një kontroll i jashtëzakonshëm me qëllim të mos lejohet të hidhet njollë e zezë dhe për këtë arsye filluam një inspektim transparent të të gjitha aktiviteteve që lidhen me fondet IPARD. Kjo u njoh si një hap i shkëlqyer nga Brukseli, duke ndërhyrë në këtë situatë në kohën e duhur. Vijoi një inspektim i plotë nga struktura IPARD, pas të cilit iu dorëzuan informacione gjithëpërfshirëse institucioneve evropiane konform procedurave të përcaktuara. Me këtë, dua të mohoj edhe spekulimet që u plasuan në mënyrë tendencioze në publik nga LSDM-ja opozitare. Duke dashur të krijojë një imazh të rremë, panik dhe revoltë tek fermerët e Maqedonisë, LSDM pretendoi se fondet IPARD ishin bllokuar dhe fermerët do të mbeteshin pa mbështetje. Por sot, për të satën herë, gënjeshtrat e tyre po bien në ujë", theksoi ministri.

Sipas tij, e vërteta ka dalë në shesh.

"Ndërsa LSDM përdor konstruksione dhe është e bllokuar në matricën e vjetër të përhapjes së gënjeshtrave, manipulimeve, duke menduar se në këtë mënyrë se do të sigurojë pikë politike, ne si Qeveri sjellim rezultate dhe sigurojmë para për fermerët tanë. Ky është ndryshimi midis nesh. Në vend të politikës dhe dezinformimit, ne kemi zgjedhur transparencën, bashkëpunimin me institucionet evropiane dhe mbrojtjen e çdo denari të destinuar për fermerët tanë", ka thënë Tripunovski, duke dërguar porosi deri te ta që të vazhdojnë të aplikojnë, të investojnë dhe të zhvillojnë prodhimin.

Foto: printskrin

Остани поврзан